Kreu i qeverisë: Mikëpritje e përzemërt nga homologu grek

Kryeministri Edi Rama është takuar mbrëmjen e sotme me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ka qenë vetë kreu i qeverisë, i cili ka shpërndarë në rrjetet sociale pamjet nga darka që pati me kryeministrin e Greqisë. Rama shkruan se u prit përzemërsisht nga homologu i tij.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve janë busulla jonë drejt shkëlqimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, shkruan Rama.

Edhe në mediat helene u bënë publike pamjet nga darka e dy liderëve. Ndër të tjera, Rama dhe Mitsotakis shfaqen sëbashku duke përplasur bërrylat, ndërsa janë të pajisur me maska.

Rama dhe Mitsotakis

Më herët është raportuar se në fokus të takimit do të jenë marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe çështja e detit, një temë që ka shkaktuar diskutime të shumta gjatë javëve të fundit.

Pak kohë më parë, Mitsotakis deklaroi në Parlament se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon, dhe për këtë do të nisë bisedimet me palën shqiptare.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ka përsëritur disa herë se nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë dhe se bisedimet për këtë çështje mbetën pezull që në kohën e Qeverisë Tsipras kur dhe u ndërrua pushteti.

Ndër të tjera, Rama ka thënë se zgjerimi me 12 milje në det është një e drejtë ndërkombëtare e çdo shteti dhe aplikohet aty e lejon hapësira fizike.

Kryeministri Rama ndodhet në Athinë pasi po merr pjesë në një forum të organizuar nga “The Economist”. /tvklan.al