Kryeministri Edi Rama ndodhet në Hungari këtë të hënë për një vizitë zyrtare me ftesë të Kryeministrit Viktor Orban. Mirëpo në Budapest, kreu i qeverisë ka takuar një prej lojtarëve të kombëtares shqiptare.

Bëhet fjalë për Myrto Uzunin, lojtarin e Ferencavorsit në kampionatin Hungarez. Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një foto me sulmuesin.

“Në Budapest me këtë shqipon që guxoi t’i bënte gol Juves në Champions, po që qenka një flori djalë, përveçse golashënuesi më i mirë i kampionëve të Hungarisë”, shkruante Rama.

Kryeministri Rama ndodhet në Hungari ku në fokus të takimeve me Orban do të ketë bashkëpunimin bilateral në ekonomi, shëndetësi dhe arsim.

Sakaq temë e bisedimeve me Kryeministrin Orban do jetë edhe ecuria e integrimit europian të Shqipërisë, ku sipas Ramës, “Hungaria është historikisht një mbështetëse e palëkundur”./tvklan.al