Rama takon Mitsotakis për kufirin detar e minoritetin

Rama takon Mitsotakis për kufirin detar e minoritetin

18:27 29/10/2019

“Frika për pronat e minoritetit, marrëzi”

Edi Rama dhe Kyriakos Mitsotakis u takuan në Athinë për gati 60 minuta. Në tryezën e bisedimeve, përveç dy kryeministrave ndodheshin edhe Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në fund të takimit asnjëri prej kryeministrave nuk dha deklaratë zyrtare para mediave. Pas takimit, Zyra e Shtypi e Kryeministrit bëri të ditur se zoti Rama theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri.

Kreu ynë i qeveris u shpreh se është në interesin e Shqipërisë po aq sa është në interesin e Greqisë fqinje, të diskutohen të gjitha çështjet me interes të përbashkët dhe të forcohet bashkëpunimi mes të dyja palëve.

Kyriakos Mitsotakis ka mirëpritur angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri.

Për këto çështje Kryeministri Rama foli në një intervistë për Euronews në Greqi, pak para takimit të tij me homologun grek. Për kufirin detar, ai vlerëson progresin e arritur me qeverinë e mëparshme greke dhe shpreson në një zgjidhje me qeverinë Mitsotakis.

“Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme dhe kemi bërë përparim të konsiderueshëm. Tashmë duhet të vazhdojmë punën me qeverinë e re, duke shpresuar që do të gjendet një zgjidhje konsensuale”.

Në përgjigje të kushtit konstant të Athinës, për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Kryeministri shqiptar thotë se Shqipëria duhet marrë shembull.

“Shqipëria është shembull i ndritur i respektimit të të gjithë minoriteteve dhe i atij grek që jeton prej shumë vitesh me të njëjtat kushte si dhe shqiptarët. Kur ka probleme, ato janë të njëjta për të gjithë, jo për njërin minoritet apo tjetrin. Rrjedhimisht, këto janë marrëzi”.

Për frikën e cënimit të pasurisë së minoritetit nga ligji i shpronësimeve, Rama thotë se kjo është thjeshtë një marrëzi dhe ligji nuk është vetëm për minoritetin grek.

“Për sa i përket ligjit, ne kemi punuar për një kohë të gjatë për të zgjidhur çështjet e pronave, shumë të komplikuara pas rënies së komunizmit, kur regjimi nuk lejonte asnjë pronë dhe shumë gjëra shkuan keq. Ajo që po përpiqemi është të ndryshojmë një pjesë të legjislacionit ekzistues në dobi të të gjithëve dhe të luftojmë një sistem korrupsioni që u pi gjakun  njerëzve sa i përket pronave të tyre. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me minoritetin grek, por me të gjithë”.

Për çështjen “Katsifas”, Rama ritheksoi se, “dikush që vrapon mes njerëzve me armë në dorë duke rrezikuar jetët e tyre, është i rrezikshëm”.

I pyetur nëse kjo çështje do të mund të shkaktonte një konfrontim të vazhdueshëm mes dy komuniteteve, Kryeministri Rama tha se mes tyre nuk ekziston përçarje dhe se nëse politika nuk fut hundët në interesa të brendshme dhe nuk tenton të fitojë mbështetje duke ushqyer urrejtjen, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi