Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të diel se të gjithë familjeve që po u ndërtohen shtëpitë si procesit të rindërtimit do ta marrin shtëpinë falas. Ai hoodhi akuza ndaj përfaqësuesve të opozitës, të cilët sipas kreut të qeverisë dezinformojnë popullin. Po ashtu, Rama tha se edhe qeveria e tij bën gabime, por nuk i përsërit ato.

“Kemi raste të ngjashme në të kaluarën tonë të afërt, tërmetesh dhe shkatërrimesh si ai i para 15 muajve për të bërë një krahasim, por kemi mundësi të bëjmë krahasime me vende tjera, me vende shumë më të mëdha, shumë më të fuqishme se sa vendi ynë. Jo shumë larg, por ja matanë detit dhe për të parë që ka shumë ndryshe. Edhe atje në Itali, jo të gjitha zonat kanë vuajtur njësoj pas tërmetit. Ka pasur tërmet në Piemonte dhe rindërtimi është një nga modelet më të bukura dhe më frymëzuese të suksesit por ka pasu tërmete në zona tjera dhe sot njerëzit akoma janë në rulota, nëpër sera, bashkë. Pas 10-12, 15 vjetesh tërmet dhe presin. E pse në të njejtin vend qenka ndryshe? Sepse është ndryshe politika, janë ndryshe njerëzit që drejtojnë. Po kemi këtu shembujt e përmbytjeve të mëparshme për të cilat njerëzve u premtua dëmshpërblimi dhe u desh që të vijmë ne në qeveri që tu bëhet dëmshpërblimi i tyre pas disa vjetësh. Natyrisht që të gjithë ata që drejtojnë, të gjithë ata që merren me politikë, të gjithë ata që zgjidhen për të punuar për vendin, lekët e njerëzve administrojnë. Se dëgjoj shumë toça, që thonë se mos i bëri Edi Rama me lekët e veta, se mos i bëtë me lekët e tuaja. Po pse, kur është shtruar çështja në historinë e njerëzimit e në historinë e shtetit se kush i bën me lekët e veta e kush me lekët e popullit. Për lekët e popullit, për administrimin e lekëve të popullit, për taksat e popullit zgjidhen qeveritë, qysh kur ka lindur shteti. Dallimin nuk e bënë kush i bënë me lekët e veta, kush me lekët e popullit po dallimi është çfarë bëhet me ato lekë, se lekët e shtetit ishin edhe më përpara, po nuk gjendeshin lekët e shtetit për të bërë dëmshpërblimet e njerëzve. Ndërsa, sot jo vetëm lekët e shteti u gjenden, po u gjenden dhe shumë të tjera nga miq dhe partnerë. Si mendoni, mendoni se do të ndodhte njësoj, pavarësisht se kush drejton vendin, pavarësisht se kush punon për vendin? Do të ndodhte njësoj nëse një qeveri do flinte gjumë dhe kryeministri do ishte duke fjetur dhe ndërkohë një qeveri s’fle gjumë dhe kryeministrin se zë gjumi bërë ti bërë këto punë. Nuk mund të ndodhtë njësoj dhe s’ka se si të ndodhtë njësoj. E pra është shume e rëndësishme të thuhet kjo sot dhe ka një gjë tjetër për të nënvizuara.  Familjet që janë këtu dhe ato që do të marrin kontratën nuk janë familje të pasura. Nuk janë familje që do ta kishin mundësinë në të shumtën e rasteve që të shlyenin shtëpitë e reja duke marrë kredi. Sado vite t’i linim ne mundësi shlyerje, do të ishte një hall i madh. Pikërisht, se jemi ne këtu dhe nuk janë honxhobonxhot e tjerë që vijë si hiena që u thonë njerëzit që jo vetëm do u marrin shtëpitë, por edhe aty ku po prishen pallatet do vijnë oligarkët të ndërtojnë vila luksoze, ndodh e kundërta e asaj që ka ndodhur me programet e rindërtimit në Europë. Ne jo vetëm që do u japim shtëpi të gjithëve, por nuk do të kërkojmë asnjë qindarkë mbrapsht. Të gjitha shtëpitë janë falas. Nga e para tek e fundit, falas. Prandaj jemi ne këtu. Ne jemi këtu për t’i qëndruar besnik asaj që është moto e imja dhe e jona që të mos lemë asnjë njeri vetëm. Nuk jemi aq të zotë sa çdo gjë ta bëjmë shumë mirë, ka dhe gjëra që nuk i bëjmë mirë. Nuk jemi të rënë nga qielli që të mos bëjmë gabime dhe ndonjëherë të mos e dhjesim muhabetin, por në fund të ditës, e para ne jemi ata që kemi bërë, bëjmë dhe do të bëjmë për këtë vend atë që të tjerët të gjithë bashkë as nuk e kanë çuar nëpër mend se mund të bëhet dhe e dyta kur e bëjmë ne kërkojmë ndjesë dhe nuk e përsërisim të njejtat gabime. Gabimet në punë janë të pashmangshme. Unë e di shumë mirë që njerëzit sot kanë mërzi, njerëzit sot kanë pakënaqësi dhe kanë të drejtë, kanë shumë të drejtë dhe iu them me zemër në dorë se në nuk mund dot t’ua plotësojmë të gjitha edhe sikur të zgjatej dita edhe nata, të bëhej 48 orë, kjo është e pamundur”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se me zgjedhjet në 25 Prill luhet me fatin e njerëzve, dhe këtë fat, ai u shpreh se “ nuk mund tua lesh atyre që e kanë treguar disa herë që nuk kanë lidhje fare me këtë punë”.

“Por, ama dallimi është shumë i qartë, shumë i qartë dhe kjo nuk është një lojë me top ku luan Kombinati me Laprakën, le të rrihet Kombinati 25 me 0, ti nuk e ndërron se je me Kombinatin. Këtu luhet me të ardhmen, këtu luhet me ecurinë e punëve, këtu luhet me ata që presin të vaksinohen, këtu luhet me ata që presin të hyjnë në shpi, me fatin e njerëzve. Dhe, kur vjen puna te fati, ti nuk mund t’ua lësh në dorë fatin tënd atyre që e kanë treguar disa herë, që s’kanë lidhje fare me këtë punë, fare zero, Ne sot jemi këtu në tarracë dhe mua më kujtohet që kur unë jam bërë kryetar bashkie, këtu në tarracë rriteshin fiq, këtu dhe te tarraca përballë. Fiqtë rriteshin mbi gjëra të kalbura dhe kalbëzimi i tyre kishte bërë që një lëkure fiku e hedhur nga njëri që kishte ardhur të hante fiq, të kthehej në pemë. Sot, ne jemi këtu në një kopsht, në një tarracë. Ka një arsye pse është kopsht dhe nuk vazhdojnë të rriten fiqtë. Ka një arsye që sot jemi të rrethuar nga aroma e pranverës që vjen nga gjethet që po çelin dhe jo nga aroma që ishin të pranishme këtu. Dhe kështu, ngado të kthesh sytë, sigurisht që mund të kishim bërë më tepër punë po e mira s’ka fund, e keqja harrohet shpejtë. Janë harruar fiqtë këtu, janë harruar dhe shumë të tjera. Po nuk është aspak çudi nëse njerëzit nuk e zgjedhin gomarin e duhur për të ngarkuar drutë po e shohin nga veshët e ngjyra, historia kthehet prapë”, tha Rama./tvklan.al