“Meta, kryetar shtabi i opozitës, iki nëse nuk bëj dot qeverinë”

Pavarësisht se amendimet e socialistëve nuk arritën dot të merrnin votat e opozitës parlamentare dhe njëherazi kanë hasur në kundërshtinë e ashpër të opozitës jashtë parlamentit, mazhoranca nuk tërhiqet nga votimi i Kodit Elektoral në seancën plenare të së hënës.

“Nesër në parlament do të kalohet. Shumica kushtetuese është ajo që vendos në fund të ditës. Mjafton të marrë 84 vota dhe është ligj. Nuk e ve njeri në diskutim”.

Pranon se nga ky proces po del i pakënaqur, pasi në emër të konsensusit thotë se mazhorancës i është dashur të bëjë lëshime për palët.

“Ne nuk kemi marrë çfarë kemi dashur në këtë proces dhe nuk ka në ligjin e ri elektoral asgjë që është aty sepse kështu duam ne. Nuk mund t’i bëjmë të lumtura të dyja palët. Njëra do komisione zgjedhore politike, tjetra jo politike. Edhe ne jo politike i donim por i shërbyem opozitës jo parlamentare dhe i thamë po. Kemi bërë të gjitha përpjekjet për një konsensus sa më të gjerë”.

E kur flet për të pakënaqur në këtë proces, gishtin e drejton në kampin kundërshtar, por mërinë më të madhe thotë se e sheh tek Presidenti Ilir Meta.

“Do t’i humbasë zgjedhjet në mënyrë shembullore. Ilir Meta është zhveshur plotësisht nga roli i presidentit edhe një herë tjetër edhe është zhytur i gjithë në një fushatë politike për të shpëtuar nga falimentimi sh.p.k siç e ka përcaktuar Basha, të Monikës dhe të tribusë së tij. Mos prisnin asgjë tjetër nga Ilir Meta të paktën deri më 25 Prill, pasi Meta është kryetari i shtabit elektoral të opozitës që përdor zyrën e Presidentit për të bërë këtë fushatë”.

Sa për lëshime thotë se një ndër to është edhe kandidimi i kryetarit të një partie në katër zona zgjedhore. Por vetë Edi Rama a do të jetë kandidat vetëm në Vlorë për një mandat të tretë?

“Unë jam deputeti i gjithë Shqipërisë. Formalisht e vendos unë në Vlorë apo Tropojë por kjo vjen thjesht si rrjedhojë sepse e kërkon ligji. Unë në Vlorë kam që 1 muajsh dhe do jem deri në fund i lidhur me qytetin. Dashurinë për Vlorën se kam kushtëzuar nga partia”.

Një debat me Bashën e refuzon prerazi, duke ironizuar procesin e brendshëm të zgjedhjeve që ka nisur selia blu përmes parimit “një anëtar, një votë”, si dhe planin e saj pesë pikësh për rimëkëmbjen.

“Më thotë kopjon programin tonë se e dinë që s’do fitojnë apo thonë hiqni ata që s’doni… Debati muhabet që bëhet ne keto kafenetë”.

Në fushë do të dalë më ekipin e tij për të fituar, por nëse mandatet si mjaftojnë pas 25 Prillit për të krijuar i vetëm qeverinë, a do ja shtrijë Edi Rama dorën Lulzim Bashës për një koalicion PS-PD?

“Ditën që shqiptarët nuk do më besojnë mua në rolin e Kryeministrit do i përqafoj shqiptarët me mirënjohje që nuk di ta shpreh. Do t’iu them puna e mbarë atyre që do marrin stafetën”.

Rama prezantoi platformën on-line të komunikimit, ku anëtarësia e Partisë Socialiste do të vlerësojë me pikë kandidatët për deputetë.

Tv Klan