Komisioneri Varhelyi: Shqipëria gati për çeljen e kapitujve
Rritja ekonomike për Ballkanin, ishte kryefjala e konferencës së përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhely. Ky i fundit prezantoi planin e BE për të forcuar ekonominë e vendeve në rajon.
“Sa i takon financimeve, veç 30 mld euro kemi 6 mld euro , 2 mld euro në grante e pjesa tjetër me hua. Këto financime shtesë do të jenë për reformat që do të sjellin vendin tuaj në BE. Deri në vitin 2027 rajoni do gëzojë të njëjtin intensitet ndihme. Pas vitit 2027 do ishte e vështirë që vendet te thone qe s’jemi gati.”
Ndërsa plani i qeverisë shqiptare është hyrja në qershor në zonën e pagesave euro.
“Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave euro do të ulim me 6 herë tarifat e qytetarëve tanë që qëndrojnë jashtë për të dërguar para në shtëpi duke qenë se do të ulë 6 herë koston e transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së”.
Në mënyrë që vendet e Ballkanit të përfitojnë nga ky plan, Edi Rama kërkoi të lihen pas konfliktet me kontekst politik.
“Nuk ka rëndësi se ça problemesh politike kemi me njëri-tjetrin, ne duhet ta bëjmë këtë gjë. Secili duhet ta harrojë se duhet të marrë më shumë nga tregu i përbashkët europian nëse nuk kontribuon 100% në tregun rajonal”.
Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhely foli dhe për çështjen e negociatave të Shqipërisë me BE, duke i përcjellë një mesazh Greqisë, që jo pak herë ka paralajmëruar veton.
“Nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon për të ecur përpara. Por gjithsesi ne po përpiqemi të ndihmojmë e shpresoj që muajin tjetër të kemi konferencën ndërqeveritare në mënyrë që të hapim negociatat e vërteta”.
Kryeministri dhe Varhely bënë thirrje për bashkëpunim si e vetmja mënyrë për tu integruar dhe ulur në tryezë krah vendeve europiane.
Klan News