“Një aleancë përtej armatimit”. Ishte kjo deklarata e kryeministrit Edi Rama, në seancën plenare të Komunitetit Politik Europian që mori vëmendjen e shumë njerëzve.

E këtë deklaratë, ai e sqaroi më mirë gjatë një konference me gazetarët në fund të samitit.

Kreu i qeverisë shqiptare e sheh këtë aspekt si medalja, e cila ka dy anë. Në të parën është nevoja që Europa ka nevojë të armatoset, e për të cilën tha se e mbështet plotësisht si ide.

“Mbështes plotësisht idenë që Europa duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala për mbrojtjen e saj dhe duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala për të investuar në kapacitetet e saj të vetëmbrojtjes, kjo është afërmendsh”, tha Rama.

Por kjo për Ramën përbën vetëm njërën anë të medaljes.

“Ana tjetër lidhet me emrin e vetë Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili dhe mes tyre është aftësia për të parashikuar paqe të përhershme, për ta projektuar atë dhe kapaciteti për të shtyrë në kërkim të paqes edhe të pamundur”, u shpreh ai.

Sipas tij, vetë Bashkimi Europian është produkt i një ëndrre që askush nuk do ta besonte. Prandaj, për Ramën, përveçse të bëhen të gjitha ato që fliten për mbrojtjen, Europa nuk duhet të harrojë se ka një shpirt që i duhet mbrojtur.

“Edhe vetë BE-ja është produkt praktikisht i një ëndrre fëmije, të cilën askush nuk do ta besonte, por ja që ndodhi. Armiq për vdekje u bënë aleatë strategjikë e kështu me radhë. Ndaj besoj, po, na duhet të bëjmë të gjitha ato që u folën për mbrojtjen, por të mos harrojmë që kemi edhe një shpirt që duhet ta mbrojmë, jo vetëm territorin dhe kemi një të ardhme që duhet ta ndërtojmë dhe kjo nënkupton që duhet të punojmë në të dyja drejtimet. Natyrisht ka edhe një pikëpyetje që duhet ta bëjmë, pse duhej pritur Trump që të vinte dhe të merrte në konsideratë armëpushimin dhe paqen? Ndoshta sepse ne ishim shumë të përqendruar dhe mjaft të apasionuar pas një kauze shumë të drejtë, të duhur, por nga ana tjetër humbëm ca terren kur vjen puna për diplomacinë. Për këtë ishte fjala ime. Ishte për Europën ideale që nuk duhet ta humbasim nga sytë se nëse e humbim nga sytë atëherë humbasim disa që i bën territoret tona më pak me vlerë për t’u mbrojtur. Ky është mendimi im”, tha Rama./tvklan.al