Kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh sot në një deklaratë publike se në Shqipëri ende nuk ka asnjë rast të infektuar me koronavirus.

Rama u shpreh se Shqipëria ka marrë masa për të përballuar rastet e infektuara në rast se do të shfaqen.

“Koronavirusi, një sfidë globale, të cilën jemi të përgatitur ta përballojmë në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë”.

Ai bëri thirrje për të mos të përhapur panik, ndërsa nuk munguan akuzat për kundërshtarët e tij politikë.

Ndërkaq Rama u shpreh se mjedisi për karantinën është vendosur në Durrës, tek Kavalishenca.

“Siç ndodh shpesh në Shqipëri, situata infodemike është shfaqur në disa forma…

Por edhe një karakteristikë jo fort e përhapur në botë, është përpjekja individuale apo në grupe, në funksion interesash mizerabël…

Deri tani nuk kemi asnjë rast të konfirmuar në Shqipëri. Janë testuar deri sot 17 raste të dyshuara, 17 individë të dyshuar për marrjen e virusit që pas testeve rezultojnë të paprekur prej tij.

Është për të ardhur keq që askund tjetër përveç se tek ne, nuk ndodh që palë e caktuara politike dhe individë të zëshëm me mandat politik të bëjnë ato që kanë bërë këto ditë, duke u përpjekur haptazi të përhapin panik dhe të dizinformojnë publikun, qoftë për vendin e karantinës, qoftë për kushtet dhe inpaktit të një mjedisi të katantinuar rreth e rrotull.

Në asnjë pikë të globit karantinat nuk ndërtohen në male apo pyje, larg zonave të banuara. Kjo është një shpifje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë.

Ne kemi përcaktuar disponimin e strukturave të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit.

Në spitalin Nënë Tereza dhe Sheqet Ndroqi kanë në disponim dhoma të izoluara. Gjithnjë të konfirmuara nga OBSH.

Urgjenca kombëtare ka marrë masa për të përballuar mbi 5 mijë thirrje në ditë”.

Rama tha se gjëja që nuk është thënë askund, është fakti i konfirmuar nga OBSH se 97 përqind të të prekurve shërohen./tvklan.al