Kryeministri Edi Rama ka parë sot nga afër punimet që po bëhen në atë që është quajtur “Shtëpia e Europës” dhe që do të mirëpresë në 16 Maj në Tiranë Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Godina po ngrihet në hapësirën e gjelbër pranë Sheshit Skënderbej.

“Shtëpia e Europës nën hijen e Skënderbeut, ku të premten, 16 Maj, do të mblidhen udhëheqësit e mbarë kontinentit…”, shkroi Rama krahas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.

Rama është interesuar për punimet dhe përfundimin e saj në kohë.

Pjesë e “Shtëpisë së Europës” janë edhe pikturat dhe vizatimet e nxënësve të shkollave të Shqipërisë të realizuara falë programit “Art, Zeje, Sport”.

Në Samitin e Komunitetit Politik Europian do të marrin pjesë 47 kryetarë shtetesh dhe qeverish dhe krerë të institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Në fokus të këtij samiti do të trajtohen tema të rëndësishme si Siguria dhe qëndrueshmëria demokratike; fuqizimi i konkurrencës dhe sigurisë ekonomike, migrimi, lëvizshmëria dhe fuqizimi i rinisë; vizioni, lidershipi, mënyrat e reja të veprimit për Europën në një botë të re.

Një ditë para samitit, do të ketë edhe një darkë me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tv Klan