Rama: Të shpallim në kërkim bandën “kap ça të kapësh”

Rama: Të shpallim në kërkim bandën “kap ça të kapësh”

14:57 09/10/2019

Ligj special kundër prokurorëve e gjyqtarëve që po abuzojnë me ligjin

Me propozim të vetë Kryeministrit, qeveria ka nisur hartimin e një projektligji special që synon të godasë ashpër të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që e përdorin periudhën trazitore deri në përballje me komisionet e Vettingut për të abuzuar e për të përfituar para të paligjshme, shpesh herë dhe në bashkëpunim me segmente të krimit.

Kryeministri nuk zbuloi shumë nga kjo inisiativë gjatë fjalës së tij në Parlament, por tha se ajo synon t’i japë fund kësaj kategorie prokurorësh dhe gjyqtarësh për të cilët ka gati dhe emërtimin.

Të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar Vettingun, që e dinë që nuk kalojnë Vettingun, dhe që kanë nxjerrë dhe një togfjalësh, nuk e di a e keni dëgjuar, KÇK. Kap ç’a të kapësh. Këtë grupin KÇK, ky Parlament duhet ta shpalli grup në kërkim. Edhe e them jo në mënyrë metaforike, e them në mënyrë të drejtëpërdrejtë, duhet ta shpalli në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Si bashkarisht ne, jo si qeveri dhe si opozitë, jo si palë që njëra palë fajëson e tjetra justifikohet, por si përfaqësues të këtyre viktimave këtu në Parlament, t’i japim KÇK-së nga ky Parlament me ligj mesazhin që KÇK-ja është në kërkim. Kush na pengon? Holanda apo Franca? Askush nuk na pengon dhe ne do ta bëjmë këtë”.

Kryeministri tha se viktima të këtyre prokurorëve e gjyqtarëve po bëhen shumë qytetarë të thjeshtë e nëpunës.

“Procesi i Vettingut për të përfunduar, dihet, do kërkojë ende disa vjet, dhe ne nuk mund të lejojmë edhe disa vjet të tjera që prokurorë si ai i Durrësit, gjykatës si ajo në Durrës apo plot të tjerë si ata të bëjnë kërdinë mbi njerëzit. Çdo ditë marr mesazhe nga njerëz që po capërlohen nëpër Prokuroria dhe nëpër Gjykata”.

Pjesë e kësaj nisme ligjore, Rama thotë se do të jetë dhe ajo për goditjen e të paprekshmëve të botës së krimit.

Ligj special për ata që vrasin, lirohen dhe dalin prapë rrugëve, futen mes të Bllokut, bëjnë edhe shfaqje, nuk e bëjmë dot ne këtë? Po nëse nuk e bëjmë, nuk duhet të rrimë më këtu. Ata në rrugë jo e jo, ka ardhur koha të ngremë stekën”.

Kryeministri komentoi dhe debatin në Parlamentin holandez lidhur me çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai përsëriti se gjithçka ka të bëjë me politikën e brendshme të këtij shteti.

Në debatin e djeshëm në Parlamentin e Holandës gjithkush që ka qenë i vëmendshëm e ka parë se si e gjithë çështja e ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë në procesin e integrimit është trajtuar një çështje e politikës së brendshme të atij vendi. Të gjitha fjalimet e bëra në Parlament i janë drejtuar elektoratit të atij vendi. Në të gjithë qasjen e Parlamentit është përvijuar i gjithë debati i brendshëm me forcat pro zgjerimit, kundër zgjerimit, me zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për të vazhduar procesin e zgjerimit dhe zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për ta ndaluar procesin e zgjerimit. Ata që janë përpjekur të thonë se ndarja në propagandë apo në qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të çojë në një ndarje në gjykimin e pëgjithshëm, jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni politik këtu në funksion të axhendës së tyre politike”.

Nuk munguan dhe sot akuzat për opozitën jashtë Parlamentit dhe për Presidentin Meta, për të cilët tha se kanë synuar përherë të minojnë procesin e negociatave.

Maqedonia nuk është vend pa konflikte, por ka frymëzuar edhe qasjen destruktive të opozitës që nuk është këtu, që në mënyrë naive e ka besuar se duke kopjuar opozitën e deri djeshme të Maqedonisë do të gjunjëzonte shumicën këtu. Por opozita në Maqedoni as dje dhe as sot nuk merr rrugët e Europës për të bërë të pabërën për vendin e vet. Nuk furnizon çdo ditë kanalet e komunikimit me partitë simotra apo individë për të ushqyer cdo ditë ata të cilët kanë një qasje ndryshe për Shqipëri”.

Për Kryeministrin, vendimi i Këshillit Europian për negociatat mbetet një çështje e brendshme e Bashkimit Europian dhe qasjes së unionit ndaj zgjerimit, pasi kushtet, shpjegon ai, do të vazhdojnë t’i ndjekin vendet aspirante deri në anëtarësimin e plotë.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT