Diskutimet dhe debatet e ditëve te fundit për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re nuk i kanë shpëtuar as seancës së kësaj të enjteje në Kuvend.

 Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka ritheksuar edhe njëherë se Teatri Kombëtar i ri do të ndërtohet dhe askush nuk mund ta ndalë. Kreu i qeverisë ftoi opozitën që të shkojë në teatër, pasi sipas tij ka që pas vitit ’91 që nuk shkel në teatër.

“Në teatrin e ri do shkoni si spektatorë dhe do mësoni nga e  para ç’është teatri sepse keni që në vitin ‘91 që nuk keni shkuar në teatër.

“Jeni si ata aktorët që zihen për muret e teatrit, por që në të vërtetë nuk kanë rol”.

Rama tha se debati për ndërtimin e teatrit ka 20 vite që diskutohet dhe askush nuk ka marrë përsipër të ndërtojë një godinë të re.

“Në do ta ndërtojmë Teatrin Kombëtar, më në fund, dhe kjo është një mbledhje që ka filluar përpara 20 vjetësh.  Kanë vdekur të gjithë ata që ishin në mbledhje, përveç Robert Ndrenikës. Pse?

Sepse askush nuk pati në mendje të ndërtonte teatro, muze.

Ky teatri që s’ka lidhje me teatrin që bëni ju këtu, nuk ka gjëma, nuk do të ndodhin gjëma. Qoftë rruga e re për teatrin dhe kulturën, qoftë reforma në arsim nuk do të ndalet prej jush

, tha kryeministri Rama.

Pasi kryeministri përfundoi  fjalën, deputeti i PD-së, Edmond Spaho replikoi për prishjen e Teatrit si dhe për takimin e një ditë më parë të Ramës me pedagogët në Universitetin e Tiranës.

“Artistët i keni gënjyer njëherë kur ishit ministër Kulture.

Ndërsa për pedagogët duhe të japësh shpjegim si funksionon ky universitet, dhe  nuk mund të fshihesh në retorikën e Kryeministrit. Fakti që ju shkuat atje do të thotë se ka një problem serioz. Sado që përpiqeni të fshiheni, ju atje keni një problem serioz. Ishit në takim me dhjetëra pedagogë, ishit me senatin. Debati është për ligjin e arsimit të lartë. Pedagogët kanë rezerva dhe më e pakta që mund të bëhet, është të dëgjohen. Pretendojnë që është cënuar autonomia e Universitetit. Nuk është problemi te ato 3 ditë që u vonuan pagat” 

tha Spaho.

/tvklan.al