Kryeministri Edi Rama është betuar pasditen e kësaj të marte para Presidentit Ilir Meta në postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua ceremonia e betimit të Ministrit të ri për Evropën dhe Punët e Jashtme. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës”, 

tha në një njoftim për mediat Presidenca.

Kreu i qeverisë iu drejtua presidencës për betimin, një ditë pasi Kuvendi miratoi me 78 vota pro dekretin e Metës për emërimin e tij në krye të MEPJ.

Vetë Rama pas votimit deklaroi se kjo ishte një lëvizje e detyruar nga shkelja e Kushtetutës nga Presidenti Meta duke refuzuar dekretimin e Gent Cakajt dhe përsëriti se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim sapo ajo të rinisë funksionimin. /tvklan.al