Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe njëherë kundër Lulzim Bashën dhe i kërkon shpjegim për kontributin e tij në raportin e Dick Marty. Në një reagim në mediat sociale Rama i kërkon Bashës që të sqarojë pozicionin e tij.

“Lulëzim sa më shumë i shmangesh përgjigjes për kontributin tënd në raportin e Dick Marty, aq më shumë e pranon faktin e tmerrshëm se je pjesë e asaj loje të ulët për njollosjen e UÇK, ndërkohë që unë nuk dua ta besoj këtë dhe të bëj thirrje të dalësh e ta sqarosh popullin shqiptar!”, shkruan Rama.

Më tej kreu i qeverisë shton se Bashën nuk e mbrojnë sharjet për qeverinë nga hija e tij në të shkuarën e Kosovës.

Sharjet e akuzat qesharake për mua si fajtor pse në Shqipëri numrat e të infektuarve po rriten si kudo, s’të mbrojnë dot nga kjo hije e të kaluarës që këto ditë të rênda për Kosovën, vetëm zmadhohet e rëndohet nga bishtnimi yt! Dil sqaro rolin tënd në atë raport të turpshëm!”, përfundon Rama./tvklan.al