Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e bëjnë më të vështirë luftën ndaj koronavirusit. Ai kërkoi që njerëzit të respektojnë masat dhe të mos përqeshin rrezikun që u kanoset prej koronavirusit.

 “Lufta me armikun e padukshëm është një luftë tejet e vështirë në aspektin shëndetësor dhe për të cilën dua t’ju lutem, përgjërohem qytetarëve shqiptarë që të mos e bëjnë atë më të vështirë. Do t’ju lutem dhe përgjërohem atyre që nuk duan ta besojnë sa e vërtetë është kjo luftë dhe mbyten në lugët e ujit të teorive të konspiracionit apo thashethemeve dhe llafeve që janë thjesht fukarallëk në klube duke e përqeshur rrezikun. Ju lutem të mos e vështirësojmë më tej këtë luftë. Ju lutem atyre që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në restorante që të mos e përqeshin rrezikun, të mos e sfidojnë shtetin, të mos venë në rrezik jetën e tyre, familjeve të tyre dhe njerëzve që u shërbejnë. Nuk është e vështirë për ne që të sulim policinë në restorante për të vendosur rregull. Por a është kjo ajo që duam? Humbja që do të pasonte nga kjo sjellje përqeshëse ndaj rrezikut do të ishte katastrofike dhe për më tepër është e pabesueshme se si mundet që dhe ndërkohë kjo pandemi nuk është vetëm në Shqipëri, nuk do të na kishte besuar askush që kjo është një luftë e vërtetë me natyrën filozofike dhe kreative që kemi ne si individë dhe që pas çdo gjëje kërkojmë një komplet apo një arsye që nuk thuhet. Kjo është një situatë që Gjermania, lokomotiva e Europës në dije, shkencë, demokraci, nuk të lë të ulesh në tavolinë në restorant me më shumë se 3 persona të tjerë. Nuk të lë të shërbesh në restorant pas orës 10 të darkës. Pse? Është një lojë e Gates për t’i vënë një çip çunave të Laçit, apo djemve të Vlorës, apo për të dëgjuar live nëpërmjet satelitit muzikë polifonike? Apo është përpjekje që çipi të bllokojë kordat zanore të këngëtarëve? Ju lutem të sillemi me përgjegjësi të madhe jo vetëm për shëndetin, por edhe për shoqërinë. Të mos bëhemi ne me dyert tona ata që mbyllim dyert e shtëpive, lokaleve, bizneseve, të makinave dhe mbeten peng i papërgjegjshmërisë, përqeshjes së një rreziku që është real. Sot je mirë, nesër je me tub dhe nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, largqoftë s’je fare”, tha Rama.

Kryeministri falënderoi ministren Ogerta Manastirliu për punën gjatë pandemisë. Ndërkohë pati kritika për mjekët që thonë nëpër televizione se ka mungesë kapacitetesh në spitale.

“Falë ministres së Shëndetësisë personalisht, një nënë që ka harruar familjen, vajzat e saj dhe që qëndron në krye të detyrës ditë natë dhe patjetër falë gjithë skuadrës së saj, sot bluzat e bardha nuk kanë hallet mbi hall të mungesës së  mjeteve për të luftuar. Janë të mirëpajisur, janë të shpërblyer brenda mundësive tona më së miri.

Fatkeqësi e madhe por nuk është vendi për ta shtjelluar se si zëra që janë me mikrofon dhe amplifikohen për shkak të detyrës flasin për mungesë kapacitetesh në spitale. Tregon sikur spitalet tona janë tejmbushur dhe njerëzit lihen korridoreve që të vdesin, fatkeqësi e madhe fort. Sot dy spitalet janë ende me kapacitete të tjera që po shkojnë duke u zvogëluar, por janë dy struktura të tjera që janë të gatshme”, tha Rama.

Kryeministri mori pjesë në një ceremoni ku NATO dhuroi 60 respiratorë të rinj në luftën ndaj Covid. Kreu i qeverisë ndër të tjera tha se situata në dimër do të jetë e vështirë për shkak të virusit. /tvklan.al