Duke shfrytëzuar konferencën për shtyp me gazetarët për shëndetësinë, Kryeministri Edi Rama gjeti mundësinë t’u bënte thirrje atyre qytetarëve që kurohen në banesë për sëmundjen e Covid-19, për të mos përdorur ilaçe pa recetë mjekësore.

Gjatë fjalës së tij, duke përcjellë edhe këshillat e specialistëve të shëndetësisë, tha se ilaçet e tepërta mund të shkaktojnë akoma më shumë dëme në organizmin e pacientëve.

Trajtimi në banesë është financiar 100% me 1.2 miliardë lekë. Këtu përfitoj dhe njëherë nga rasti që të bëj një thirrje, jo në emrin tim personal thjesht, por në emër të ekspertëve që ma kërkojnë këtë gjë në mënyrë të vazhdueshme që ta përsëris, mos dyndni veten dhe të afërmit tuaj me ilaçe. E gjithë bota e ka shumë të qartë porosinë. Jo ilaçeve të tepërta, jo këshillave dhe sugjerimeve nga të katërt anë, por atij protokolli me dy skema të thjeshta që në pamje të parë duken si skema për të adresuar një grip por që janë të vetmet skema që janë botërisht të unifikuara dhe nuk bëjnë dëme. Dyndja me ilaçe dëmton financat, dëmton shëndetin, dhe mund të sjellë pasoja të parikuperueshme”, tha Kreyministri.

Ndër të tjera, Rama bëri edhe një bilanc të stafit që është i angazhuar në përballjen me këtë pandemi.

“Deri tani janë 3656 mjekë dhe infermierë që vazhdojnë paguhen me 1 mijë Euro plus rrogës në muaj dhe do të vazhdojnë të paguhen deri në fund të kësaj lufte. Janë 1112 staf mbështetës që paguan 500 Euro plus rrogës në muaj dhe do të vazhdojnë të paguhen deri në fund të kësaj lufte. Kapaciteti i aparaturave respiratore është thuajse 3-fishuar”. /tvklan.al