Fluksi në rritje i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë përgjatë këtij viti mund ta kthejë Aeroportin “Nënë Tereza në pritësin e parë në rajon sa i përket të huajve që do të shkelin në vendin tonë për të eksploruar bukuritë e rivierës bregdetare, alpet, sitet arkeologjike dhe çmimet konkurruese.
Në të fundit postcast për këtë sezon, ku kishte të ftuar karateistin Alvin Karaqi, fitues i medaljes së artë në Lojërat Europiane, Rama zbuloi se çfarë bëhet me rezervimet në hotelet shqiptare, e veçanërisht me ato në kryeqytet.
“Tirana është bërë shumë, shumë ‘’magnet’’ për turistët. Gjithë Shqipëria tani. Në 2013-tën, në aeroportin e Tiranës kishte rreth 300-350 mijë pasagjerë. Këtë vit jemi midis 6.5 dhe 7 milionë pasagjerë dhe praktikisht jemi në kushtet kur mund të dalim aeroporti i parë në rajon, përfshirë dhe Beogradin, domethënë që ka një aeroport të madh dhe me aeroportin e Vlorës, do të rritet edhe më shumë sepse shumë njerëz që duan të vizitojnë Shqipërinë, sidomos zonën e Jonit, llogarisin kohën dhe nuk është shumë komode, por Tirana është bërë një vend ku me Airbnb bëhet nami, në gjithë Shqipërinë bëhet nami sot që flasim”, tha Rama.
Por ky fluks i madh i turistëve të huaj thotë se e detyron qeverinë të kthejë sytë nga investimet serioze për ta shndërruar turizmin në një industri si vendet fqinje, të cilat sjellin në buxhetin e shtetit një ndër zërat më të mëdha të të ardhurave përmes këtij sektori.
“Na duhet më shumë zhvillim me hotelet dhe gjithë këtë pjesën e mikpritjes së nivelit më të lartë, që të sjellim më shumë turistë që konsumojnë më shumë që të mbetet më shumë ekonomi, por mendoj që jemi në rrugën e duhur dhe Dhërmiu është një nga pikat, nuk diskutohet që janë, tani ka dalë dhe Ksamili që është bërë si të thuash, ajo kartëvizita e artë e Shqipërisë turistike”, tha Rama.
Pritshmëritë e Kryeministrit Rama janë që ta kthejë Shqipërinë deri në vitin 2030 në kampione të Ballkanit në turizëm. Sipas statistikave 84% e shtretërve rezultojnë të zënë nga periudha Maj-Shtator nga turistë të huaj, kryesisht europianë.
Tv Klan