100-vjetori i Tiranës kryeqytet

Një pritje e organizuar në Pallatin e Brigadave në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, bëri bashkë personalitete të politikës, religjionit e medias. Kryeministri Edi Rama e cilësoi kryeqendrën shqiptare një Amerikë të vogël, teksa ndau me të pranishmit një bisedë të zhvilluar vite më parë me një ish-diplomate europiane. Me pak humor, Rama tregoi sesi për vendin e ambasadorit të BE në Tiranë aplikuan 41 kandidatë.

“Nuk e mbaj mend saktësisht vitin, por mbaj mend që ishte i hapur vendi i punës për ambasadorin e BE-së dhe rastësisht kam takuar shefen e atëhershme të diplomacisë europiane që më tha ‘çfarë ndodh me Shqipërinë’? ka ambasadorë aktualë që janë ambasadorë ose që janë në pozicione të mëdha në ambasada nëpër botë që kanë qenë në Tiranë dhe duan të kthehen në Tiranë.  Mora vesh që njëri ishte sekretar i parë në një nga ambasadat më të mëdha të botës. I çova e-mail dhe e pyeta a është e vërtetë që ke aplikuar të kthehesh në Tiranë? Dhe më shkroi, ‘po e vërtetë është, po ke qenë në Tiranë s’ka kontinent që ta mbush syrin’”, tha Rama.

Kreu i qeverisë përmendi edhe sfidat me të cilat do të përballet Tirana.

“Asnjëherë strategjitë, politikat, planet nuk do e pengojnë Tiranën që të jetë befasuese, do të jetë një qytet që të gjithë do të duan të vendosin rregullin dhe secili ta prishë pak”, tha ai.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal tek bashkimi i shqiptarëve përtej bindjeve dhe ngjyrimeve politike si rruga e duhur për të projektuar Tiranën e së ardhmes.

“Edhe sot këtu jemi bashkë të majtë dhe të djathtë, jemi bashkë den baba denas dhe të ardhur. Do doja shumë dhe lutja ime është që të jemi bashkë si tani, edhe jashtë mureve të kësaj ndërtese historike. Kjo mbrëmje është mjaft e rëndësishme për ne, jo vetëm për të reflektuar për atë çka është bërë deri më sot, por për atë që duam të projektojmë në qytetin e 100 viteve të ardhshme. Gjatë këtij përvjetori ne shpresojmë që të bëjmë pikërisht këtë”, tha Veliaj.

Në këtë vit jubile, janë planifikuar aktivitete artistike e kulturore si brenda dhe jashtë vendit që kanë si qëllim promovimin e Tiranës.

Tv Klan