Replikat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor nuk kanë munguar as edhe ditën e 60 vjetorit të NATO-s. Ka qenë kreu i pozitës Edi Rama, i cili ka kërkuar që të gjithë forcat politike të punojnë bashkë për zgjedhje të ndershme ndërsa ka pohuar se rrezikimi i procesit zgjedhor në Shqipëri si një anëtar i NATO-s do të jetë problem edhe për vendet e tjera pjesë e aleancës.

Edi Rama: “Jemi thellësisht të shqetësuar teksa shohim që procesi shkon drejt një qorrsokaku ku vendi i sapo anëtarësuar në NATO mund të kthehet në një problem për të gjithë. Është koha që të gjithë së bashku pa asnjë kufi dhe diferencë mes palëve të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë të bëjmë një përpjekje të përbashkët për ta shpëtuar procesin nga dështimi”.

Nga ana tjetër kryetarja e Kuvendit Topalli, i ka bërë thirrje drejtuesve të partive të mos kenë fobi zgjedhjet por t’i presin si një ditë feste pasi procesi po ecën normalisht.

Jozefina Topalli: “Unë jam shumë e kënaqur që si asnjëherë tjetër në këto 18 vite, që në zgjedhjet e ardhshme ne po shkojmë në infrastrukturën më modern. Unë mendoj se politikanët që drejtojnë partitë, ditën e zgjedhjeve duhet ta shohin si një dite feste. Unë nuk mendoj se ato që drejtojnë partitë duhet të kenë frikë nga zgjedhjet, s’duhet të kenë fobi”./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi