Kreu i qeverisë, Edi Rama ka treguar sot 5 prioritetet e Policisë së Shtetit. Duke filluar nga sjellja me qytetarët e deri tek kontroll i territorit, Rama tha se këto prioritete duhet të jenë çdo ditë në mendjet e efektivëve.

Sipas Ramës nuk mund të ketë qytetarë që shkelin ligjin dhe të mos dënohen, dhe kërkoi që i gjithë territori duhet të jetë në duart e policisë.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Nëse do rendisja prioritetet me numra do thoja prioriteti numri 1 është raporti me qytetarin që kërkon që patrullat e rendit, forcat Shqiponja, Policia Rrugore dhe kufitare të hyjnë në një proces shkundje shumë të fortë dhe lëvizjesh shumë domethënëse për të promovuar oficerë policie si ju vetë që jeni promovuar dhe keni marrë besim të ri dhe garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë A dhe ZH e vlerësimit për çdo punonjës.

Mjaftojnë shumë pak individë që flasin përçart për ta degraduar imazhin e të gjithëve. Nuk janë të gjithë punonjësit e Shqiponjave, e Patrullës së Përgjithshme, e policisë rrugore apo kufitare që ndalojnë njerëzit në rrugë për lekë, janë shumë pak prej tyre por janë mjaftueshëm për ta degjeneruar imazhin e atyre bashkë.

Prioriteti 2 është kontrolli i plotë mbi territor për mbrojtjen pa kompromis të pronës publike dhe mjedisit. Nuk mund të zhvillohen veprimtari të paligjshme mbi trupin e Shqipërisë. Policia e shtetit është gardiane. Të gjithë ju duhet të godisni pa mëshirë. Operacioni i nisur dhe ndërprerë përkohësisht për shkak të sezonit që do vazhdojë në Shtator, duhet të jetë operacion permanent për shembjen dhe pastrimin e ndërtimeve pa leje në gjithë zonën turistike dhe zonat sensitive.

Leximi i vëmendshëm i Kodit penal thotë se pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale. Nuk ka rëndësi nëse ndërtimi pa leje u kap tani apo u kap nesër. Nuk mund të shkohet në territorin e bregdetit të konsumohen gjithë ata trupa dhe në fund kostot ti marri shteti dhe popullit për të pastruar inerte. Kodi penal thotë që jo iniciatorët, jo pronarët e firmës zbatuese, por çdo person i përfshirë në ndërtim pa leje është subjekt i ligjit.

Priotriteti numër tre është lufta kundër dopio standardit në zbatimin e ligjit. Policia duhet të jetë shembull i këtij fakti. Duhet ta mësojnë të gjithë që kjo gjë nuk duhet të jetë vetëm e detyrueshme por dhe mundur. Çfarë do të thotë kjo që 28 mijë kilometër katror që kontrollohen metër për metër, të bëhen veprime të jashtëligjshme haptas. Unë jam me ju për sa i përket shifrave të ulura të kriminalitetit.

Prioritet numër 4 lidhur me avancimin të revolucionit teknologjik. Policia ka një flotë të re mjetesh por ka nevojë për mbështetje të fortë, monitorim teknologjik të territorit. Për këtë arsye po punojmë intensivisht që të realizojmë monitorimin me kamera të rrugëve kryesore dhe përmes teknologjisë ti spostojë trupat nga rrugët. Po ashtu shtrirjen e sistemit të kamerave të trupit, edhe pajisjen apo vënien në dispozicion të superkenologjisë me dronët super inteligjent për monitorim të territorit që të jap informacion në kohë reale për çdo kultivim kanabisi, çdo problem trafik, çdo lëvizje mjetesh dhe forcash kriminale, për çdo tokë bujqësore. Edhe këtë ne duhet ta bëjmë dhe do t’ja u vëmë në dispozicion.

Dhe prioriteti i fundit është vënia në përdorim i komisariatit dixhital. Ka qenë një ndihmë shumë e madhe tani kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër që çdo qytetar atë komisariat ta ketë në xhep dhe të jetë syri juaj dhe partneri juaj në drejtim që të kryeni me shumë efikasitet detyrën tuaj. Do të përmend një element që është shqetësues; denoncimet për dhunën në familje. Është shumë shqetësues që Policia e Shtetit ka ndjeshmëri të ulët ndaj këtij fenomeni, që në komisariate të caktuara shpërfillen klithmat e grave që dhunohen në familje, shpërfillen totalisht vuajtjet dhe dhimbjet e patregueshme të atyre që mund të ishin gratë të secilit prej jush dhe prej nesh. Kjo është e pakomentueshme. Duhet ndërtuar brenda për brenda gjithë sistemit një rrjet me persona përgjegjës, jo një çështje midis çështjeve të tjera. Duhet të caktoni persona përgjegjës që të merret me dhunën në familje. Nuk mund të ketë mirëkuptim me burrat në këtë fushë./tvklan.al