Kryeministri Edi Rama ka treguar për emisionin “Opinion” pas fjalimit në Këshillin e Europës një rast të çuditshëm që sipas tij tregon se çfarë imazhi është krijuar për shqiptarët pas akuzave për trafik organesh.

Kreu i qeverisë tha se kur një turist humbi në male duke bërë turizëm malor, ambasada përkatëse kërkoi hetim për marrje organesh ndaj atij personi.

Sipas Ramës, fantazia e shthurur e historisë së trafikut të organeve ka futur në kokën e njerëzve një ide shumë të gabuar për shqiptarët.

“Çfarë roli mund të luajë Shqipëria? Shqipëria mund të luajë dhe do të luajë një rol të veçantë. Kosova nuk e di çfarë keni parasysh kur nuk ka një reagim kaq të madh sa i yni. Mos harroni dhe nuk duhet të harrojmë se këtu është përfolur shumë keq edhe Shqipëria dhe kjo është një njollë për shqiptarët, kombin tonë, për njerëzit tanë sepse kjo fantazi e shthurur e një historie trafiku organesh qeniesh njerëzore për shumë kohë ka figuruar në faqe të para të gazetave, në komente të pafundme, në shumë dritare, kanale dhe portale dhe ka futur në kokën e njerëzve një ide shumë të gabuar duke e ushqyer me një “fakt”, por dhe një gënjeshtër të madhe stereotipin që shqiptarët janë të frikshëm, që shqiptarët janë kriminelë, që shqiptarët janë të të gjithave. Aq e vërtetë është kjo saqë unë e preka pak aty. Ju duhet të dini që ka pasur një rast të një personi të humbur, një turist që faktikisht që humbi nëpër majat e maleve duke bërë turizmin malor dhe ambasada përkatëse ka kërkuar investigim për marrje të organeve të atij personi. Kur pyet çfarë është kjo, epo se në Shqipëri ndodhin këto. Çfarë ndodh në Shqipëri? Natyrisht që ne jemi të këqijtë e vetes në këtë pikë por kjo është temë tjetër. Sa i përket Kosovës, ajo është në një proces këtu. Në fjalën time kam bërë një avokati të drejtpërdrejt, ose një mbështetje të drejtpërdrejtë, ose një argumentim të drejtpërdrejtë quajeni si të doni përse Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Europës, por Kosova nuk akses dhe nuk ka fuqinë të bëjë atë që ne mund të bëjmë, por jo thjesht për Kosovën, madje për veten si shqiptari, si komb, si popull, që nuk mund ta pranojë këtë lloj damke barbarie, por edhe për këta vetë, për Këshillin e Europës, për Europën, për botën demokratike, e cila duhet të provojë që është në gjendje të ketë modestinë, të ketë vetëdijen se gabimet janë pjesë e jetës së institucioneve demokratike, por institucionet demokratike ndryshe nga institucionet jodemokratike kanë virtytin që t’i korrigjojnë gabimet e tyre. Patjetër që ne do të bëjmë çmos që edhe këta t’i ndihmojmë që të dalin nga bataku ku i ka futur gjenerali i një ushtrie imagjinare organesh njerëzore të trafikuara”, u shpreh Rama./tvklan.al