Mund të ruhen 250 mijë doza në minus 70 gradë

Për të shuar zërat konspirative mbi vaksinën kryeministri Edi Rama vizitoi depot farmaceutike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Institutin e Shëndetit Publik, ku është vendosur zinxhiri ftohës për ruajtjen e vaksinës. Rama vlerësoi investimet e bëra dhe e krahasoi gjendjen e këtyre depove me atë të disa viteve më parë.

“Praktikisht me atë depo që ishte këtu vaksinat ishin në dorë të Zotit. Kishit një magazinë kooperative që fusnit mollët, dardhat”.

Ministrja e Shëndetësisë sqaroi se aktualisht Shqipëria ka kapacitete të zinxhirit ftohës për secilën nga vaksinat që do të vijnë në vendin tonë.

“Kapacitetet aktuale për temperaturën -70 °C janë për 250 mijë doza vaksine, në mënyrë të menjëhershme, për vaksinën e Pfizer. Dhe sigurisht dhe për llojet e ndryshme të vaksinave. Për ato të Moderna nëse do të na vijë -20 °C, kemi kapacitetet për të pritur 950 mijë doza njëkohësisht.

Ndërsa për sa i përket kapaciteteve që kemi frigoriferike për vaksinat e llojeve të tjera, pra ato që kërkojnë 2-8 °C kemi kapacitet për të pritur 7 milion doza”.

Vaksinat e Pfizer/BioNTech të mbërritura në Shqipëri po ruhen në Institutin e Shëndetit Publik në kushte të standardeve ultra të ftohta -70 °C deri -80 °C.

Tv Klan