Teksa ishte në Shijak, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Rama tha se fokusi i qeverisë tashmë është tek ekonomia. Ai theksoi se mazhoranca është e vendosur për të bërë një ndryshim të madh ekonomik brenda potencialit të vendit tonë.

“Fokusi jonë tani është ekonomia. Jemi marrë shumë me politikën, por kemi vendosur bazën për t’u marrë vetëm me ekonominë dhe për të bërë të mundur një ndryshim të madh ekonomik brenda potencialit tonë. Unë nuk them do bëhemi të dytët pas Gjermanisë”, tha Rama.

Në kuadër të kësaj, kryeministri sheh amnistinë fiskale e cila do t’i shërbejë edhe ekonomisë së përgjithshme. Edi Rama deklaroi se paratë eemigrantëve do të futen në banka jo vetëm ligjërisht, por edhe me një komision shumë të ulët.

“Të gjithë shqiptarët do të ftohen të fusin paratë në banka dhe do të kenë garanci nga parlamenti që askush asnjëherë do të kthehet mbrapa përveç rasteve kur do të rezultojë se janë para politikanësh apo krimi. Kjo do të bëjë që të rritet kapaciteti ekonomik i individëve që kanë kursime. Do të rritet aftësia e të gjithë individëve që të bashkëpunojë me bankat. Paratë do të futen në bankë jo vetëm ligjërisht, por edhe me një komision shumë të ulët. Edhe ai komision do të shërbejë për ekonominë e përgjithshme”, tha Rama./tvklan.al