Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të premte se në Shqipëri do të riatdhesohen vetëm ata persona që janë në vështirësi, si studentët dhe ata persona që ishin nisur për në Shqipëri, por kriza e pandemisë i bllokoi në vende të caktuara.

Kreu i qeverisë u shpreh se është bërë një listë, e cila është verifikuar. Pastaj do të jetë kompania “Air Albania” që do t’i mbledhë në pika të caktuara që do të vendosen nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Do të riatdhesojmë 1379 njerëz ë janë në një listë të mbyllur. Nuk kam thënë që do nisim avionin dhe do të kthejmë 300 mijë njerëz në Shqipëri. Kjo nuk është e mundur, kjo nuk është e arsyeshme, kjo nuk është tolerueshme mbi të gjitha. Edhe vetë Kina ka ndaluar përfundimisht marrjen e njerëzve nga jashtë. Nuk jemi për të marrë jashtë të gjithë, por për t’i dhënë mundësi që të kthehen ata që në 2-3 javë janë në moment të vështirë. Ata që kur u mbyll kufiri u lanë të ngecin atje. Jo njerëz që jetojnë atje dhe të thonë hajde se po vij në Shqipëri. Jo. Njerëzit që jetojnë atje, janë atje. Njerëzit që kanë ikur atje përpara mbylljes së kufijve me kohë nuk mund të kërkojnë të vijnë në Shqipëri derisa të përfundojë lufta. Është një listë e mbyllur! Është një listë e verifikuar një për një me studentë që janë në pikë të hallit dhe me njerëz që ishin në rrugë për t’u kthyer dhe nuk u kthyen dot. Nuk vihet në Shqipëri për faktin se ne këtu nuk kemi numra alarmantë, sepse po ta hapnim këtë rrugë numrat tonë nuk do të bëheshin alarmantë, por katastrofikë”, tha Rama.

Kryeministri Rama njoftoi sot se shpenzimet i ka marrë përsipër kompania ajrore pas kërkesës së tij. Numri më i madh i shqiptarëve që duan të kthehen në atdhe ndodhen në Itali./tvklan.al