Edi Rama e quan Enver Hoxhën si kafshën më të madhe politike në vend. Në një rrëfim ndryshe përballë gazetarit Blendi Fevziu, në “Opinion” në Tv Klan, Rama u shpreh se Hoxha është kafsha më e madhe politike, për sa i përket instinktit dhe mbijetesës në pushtet.

Kreu i qeverisë tregon se Enver Hoxha ka qenë vetë pushteti për 45 vite dhe askush nuk i bënte dot hije.

Blendi Fevziu: Po sugjestioni që vinte nga politika, kur shkojë në paradat e Majit, kur shikoje Enver Hoxhën dhe liderët e tjerë politik? Se ka pasur dy kategori njerëzisht, ata që sugjestionoheshin dhe ata që ishin indiferent ndaj tyre.

Kryeministri Edi Rama: Shiko, nuk diskutohet që në atë kohë figurat, figura e pushtetit ishte e Enver Hoxhës, figurat e tjera ishin të pranishme në figurat e mëdha.

Blendi Fevziu: Nuk i bënin dot hije atij…

Kryeministri Edi Rama:E kam menduar më vonë këtë herë pas here, duke pasur parasysh dhe faktin Hoxha ishte i pranishëm çdo ditë kudo por jo fizikisht. Ai fizikisht shfaqej shumë rrallë. Ti e di shumë mirë që në kanalin informativ nuk dilnin ministrat, nuk kishte intervista.

Blendi Fevziu:Por portretet e tyre ishin kudo…

Kryeministri Edi Rama:Misteri i pushtetit, për të cilin flitet gjerë e gjatë në të gjithë literaturën që ka shoqëruar historinë dhe politikën , ishte i ushtruar më fortë dhe më shumë se në çdo formë tjetër, më shumë mes mospranisë se pranisë. Ishte shumë i largët, ishte i pakonceptueshëm aksesi drejt tij dhe nuk pasur atraksion në sensin të lidhur me këtë që jam sot.

Blendi Fevziu: Përpara se tu bëj një pyetje, me që folëm për Enver Hoxhën. Ju sot jeni drejtues i Shqipërisë, në rrethanat të ndryshme nga ato që ka qeverisur Enver Hoxha. Por si një lider politik, në mënyrën se si është pushtetit se si qeveriset që shpesh janë universale, çfarë mendimi keni për Enver Hoxhën? E keni parë ndonjëherë si personazh?

Kryeministri Edi Rama: E kam parë patjetër si personazh dhe mendoj që fjala kafshë politike është një term që përkufizon instinktin e triumfit dhe të dominimit e kanë më të madhe se të tjerët. Enver Hoxha është kafsha më e madhe politike që kemi pasur padiskutim./tvklan.al