Kryeministri Edi Rama në një rrëfim ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu ka folur për raportin e tij me Ilir Metën.

Ram tregon se njohjen me Metën e ka që para angazhimit në politik, por shton se Presidenti është një njeri me hënë dhe sipas tij i tillë ka qenë gjithmonë.

Blendi Fevziu: Si ka qenë raporti juaj me Ilir Metën? Nuk dua një përgjigje nisur nga dominimi i momentit. Jeni dashur shumë, jeni luftuar shumë, jeni njohur para viteve 90…

Kryeministri Edi Rama:Para viteve ‘90 Iliri stërvitej tek palestra e shtangës, tek të rinjtë. Unë shkoja atje se bëja ushtrime force dhe isha shumë i lidhur në atë kohë me Agron Haxhihysenin, Aleksandër Kondon dhe merrja prej tyre ide për programin e forcës. Iliri më kujtohet, ishte në një kënd atje që stërvitej. Por nuk kishim ndonjë njohje më shumë se kaq.

Blendi Fevziu:Si mund ta përkufizosh marrëdhënien tuaj shumë të çuditshme me të?

Kryeministri Edi Rama: Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar. Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast. Por Iliri është njeri me hënë. Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të.

Blendi Fevziu:Merreshit vesh?

Kryeministri Edi Rama: O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh fare, nuk kam pas asnjë periudhë kur as jam marr vesh e as nuk jam marr vesh. O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh. Ai është dy veta. Varet se cilin Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar./tvklan.al