Kryeministri Edi Rama ka treguar sot para mediave se çfarë ka thënë në Kryesinë e Partisë Socialiste. Rama është shprehur se është i bindur për ndryshim dhe vetëndryshim të partisë dhe thotë se ky duhet të jetë një proces që duhet të vijojë gjithmonë.

Po ashtu kreu i qeverisë ka thënë se nëse ai vetë nuk kërkon ndryshim nuk duhet që të qëndrojë më në PS dhe nuk i duhet as vendit.

 “Nuk ka asgjë të re përveç Agron Gjermarkajt. Është një kontribut i PD që largon nga klubet e natës mediatike, por nuk besoj se është një akt serioz dhe një akt respekti për demokratët e Lezhës. Pash para se të vija këtu një deklaratë të një zonjë që më rezulton se është një kandidate PD në Kurbin dhe për kuriozitet më folën fjalë të mira. Deklarata e saj ishte që meqë nuk kanë granë në listën e PD, do mbështesin PS-në se është një grua. Gratë në listën e PD janë për të zbatuar ligjin, se duhet një në çdo tre të jetë një grua.

Kjo është pak a shumë panorama për skuadrat që janë në fushë, ne nuk e kemi betejën me PD-në apo LSI-në për t;u bërë më të mirë në çdo hap. Ajo që u kam thënë dje të gjithë kryesisë është që ne nuk mund të jemi dot njerëz që drejtojmë këtë forcë politike dhe të listojmë bazuar në idenë që kemi për njëri-tjetrin brenda mureve. Nuk mjafton. Sado pozitive dhe sa do me bindje të jetë ideja ime për njërin apo tjetrin. Por cila është ideja e publikut, jo vetëm për një njeri, por për PS-në. Qytetarët nuk janë aty për të votuar ata që shohin, dëgjojnë e nuk reflektojnë.  Qëllimi im është që të rrafshojmë muret ndarëse, se u bë këngë Rilindja apo PS-ja.

Është absurde që njerëz që e shohin PS-në nga jashtë të kërkojnë që një pari të mos rilind duke u hapur. Është PS që ka detyrimin të vetëndryshojë. Është një proces që ka ardhur duke u konsoliduar. Nuk kam asnjë diskutim unë për miqtë shokët kolegët që kanë dhënë shumë në vite, për mua e kanë vendin gjithmonë të palëvizshëm në sytë e mi. Por çështja është a mjafton kjo për shoqërinë? E shkuara e secilit në një parti politike, është historia e tij dhe e partisë, nuk është një arsye që atje njeriu i rrugës të ndalet e të votojë. Partitë politike janë për të jetuar për t’u drejtuar në lartësinë e të sotmes. Nëse unë nuk arrij të bëj këtë për çfarë i duhem unë PS-së dhe vendit.

Skuadrat ndërtohen me lojtarët që janë më në formë dhe më në gjendje në atë moment të përballojnë kundërshtarin dhe të fitojnë ndeshjen, nuk ka historia të tjera. Listat e deputetëve nuk janë muzeume. Nuk janë stenda për të vendosur vazot e antikitetit. Sali Berisha për PD-në ka shumë vlerë, por për çfarë duhet të jetë këtu tani, për çfarë? Për të ndaluar emigracionin? PD ka ndërtuar një stendë me vazo antike, por janë fosile”, u shpreh Rama./tvklan.al