Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e zhvilluara në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës. Në mesazhin e tij, ai deklaroi se agresioni nuk mund të pranohet si normalitet.

“E kam pyetur veten vazhdimisht këto ditë: A është e mundur të pranohet si normalitet agresioni i një turme e cila, në emër të rinisë, studentëve, së ardhmes, kërkon të na imponohet të gjithëve, jo thjesht duke thyer xhamat e Ministrisë së Arsimit dhe xhamat pranë saj, por duke thyer çdo normë të bashkëjetesës mes njerëzish të të njëjtit qytet?”, tha Rama.

Rama theksoi se shqetësimi, sipas tij, nuk lidhet vetëm me qeverinë apo shumicën parlamentare, por me të gjithë qytetarët që nuk janë pjesë e akteve të dhunshme. Në lidhje me kërkesën për dorëheqjen, ai deklaroi se askush nuk i jep mandatet, përveç sovranit.

“Ne nuk e duam më këtë qeveri, jep dorëheqjen, bindju popullit’. Ky mish-mash që ka marrë peng Tiranën, nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe s’ka asnjë autorizim të flasë në emër të popullit. As kjo turmë e verbër dhe askush tjetër nuk jep mandate, përveç sovranit popull. Kjo është e vërteta në demokraci”, tha Rama.

Në reagimin e tij, Rama dënoi gjithashtu përdorimin e gurëve dhe zjarrit kundër institucioneve, bizneseve dhe Policisë së Shtetit, duke e cilësuar këtë sjellje si përpjekje për t’ua imponuar të tjerëve vullnetin përmes dhunës.

“A mund të na imponohet të gjithëve një turmë e cila, pasi ka ardhur prej muajsh vërdallë nëpër Tiranë, duke xhiruar përnatë rrugët e qendrës me britma e të qara dhe duke shqetësuar njerëzit e ulur nëpër kafene, brenda në dyqane, restorante ose lart nëpër shtëpi, apo duke i nxjerrë jashtë në kryqëzime për të bllokuar trafikun, duke bullizuar dhe goditur drejtues automjetesh të penguar në rrugën e tyre, pa pyetur fare për liritë dhe të drejtat e askujt tjetër, shpërthen në një furi dhune me gurë dhe me zjarr kundër qytetit, kundër institucioneve, kundër dyqaneve, kundër Policisë së Shtetit?”, tha Rama.

Kryeministri e përqëndroi mesazhin te nevoja për të garantuar liritë e qytetarëve dhe për të mos lejuar që konfliktet të cenojnë jetën publike. Reagimi i tij vjen në një klimë protestash dhe tensionesh në kryeqytet, ku përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë shoqëruar tubimet e fundit.

/tvklan.al