Kryeministri Edi Rama vlerëson se me “revolucionin dixhital”, siç e quan ai ofrimin e shërbimeve online, qytetarët shqiptarë kursyen 4 milionë euro dhe 472 vjet pritje. Në Konferencën e përjavshme për mediat “Ekonomia në Fokus”, Kryeministri deklaroi se sot Shqipëria ka 95% të shërbimeve online.

Shqipëria kalon në një nivel tjetër për sa i përket funksionimit të brendshëm të shtetit dhe funksionimit të arsyes më të rëndësishme të ekzistencës së shtetit, marrëdhënies transparente, efikase, të drejtpërdrejtë me qytetarët. Nëse ne nuk do të ishim në fazën e këtij revolucioni ku këto dy ngjarje të mëdha e gjetën Shqipërinë, parafytyroni se çfarë do të mund të bënim nëse në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti më parë nuk do të kishim mundësi që t’u shërbenim të gjithë qytetarëve në nevojë për të dalë nga shtëpia. Parafytyroni që kjo fatkeqësi të na kishte gjetur në kohën kur ky shtet kishte vetëm 1% të shërbimeve online dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve. Sot nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion kemi 1207 shërbime dhe nga 50 mijë përdorues kemi 1.87 milionë përdorues. Nga 51 mijë aplikime për shërbime online në vitin 2013, sot në vitin 2021 kemi 7.7 milionë. Nëse në vitin 2013 kishte vetëm 6 regjistra elektronikë me total 680 mijë transaksione sot ka 55 databaza që shkëmbejnë informacion në kohë reale me 145 milionë transaksione, pra me një numër ndërveprimesh online të rritur 219 herë. 

Kemi bërë një llogari dhe pa këtë revolucion deri në këtë fazë ku ka ardhur, qytetarët shqiptarë do të kishin konsumuar 472 vjet pritje nëpër radha, janë shkurtuar 472 vjet kohë pritje nëpër radhë si kohë e harxhuar. Vetëm gjatë pandemisë janë shërbyer 1.2 milionë subjekte. Janë kursyer 293 vite pritje. Në total u janë kursyer qytetarëve përmes shërbimeve online 4 milionë Euro që do kishin shkuar për ato tarifat minimale, për dokumente në radhë, pa llogaritur kursimet e bakshisheve dhe ryshfeteve që ky sistem i asgjëson komplet. Për ato shërbime që sot ne kryejmë. Sot Shqipëria ka 95% të shërbimeve online”, tha Rama./tvklan.al