Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë këtë të mërkurë drejt Turqisë. Mësohet se kreu i qeverisë do të niset drejt shtetit turk në orën 14:00.

Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri, raporton se Rama do të jetë i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit qeveritar. Mësohet se do të zhvillohen disa takime zyrtare për marrëveshjet që qeveria shqiptare ka firmosur me Turqinë.

Në axhendë janë parashikuar dhe takime me investitorë të mëdhenj në fusha si teknologjia digjitale, turizmi, farmaceutika, energjia apo transporti.

Për këtë arsye ministrat që shoqërojnë kryeministrin në këto takime janë ministrja e transporteve Balluku, ajo e shëndetësisë Manastirliu, ministri i Turizimit Klosi, ministrja e Arsimit Kushi, e Kulturës Margariti si dhe ministri rindërtimit, Ahmetaj.

Mësohet se kryeministri do të pritet në një takim dhe nga presidenti Erdogan.

Ndërkohë mësohet se ai do të jetë i pranishëm në Asamblenë Kombëtare të PS-së e cila do të mbahet pasditen e sotme online. Në fokus të këtij takimi pritet të jetë analiza e zgjedhjeve të 25 Prillit dhe thirrja e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së.

Kujtojmë që Kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e kabinetit të tij ishin në fillim të vitit në një vizitë zyrtare në Ankara ku u pritën nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Takimi u finalizua me disa marrëveshje në sektorë të ndryshëm. Një ndër to ishte edhe ai për ndërtimin e spitalit rajonal “Memorial” të Fierit./tvklan.al