Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar qytetarëve që më 25 Prill kur t’i drejtohen kutive të votimit të zgjedhin atë që bën punën. Dhe sipas kreut të qeverisë, punën e bën forca që ai drejton. I ndodhur në një aktivitet në Bashkinë e Tiranës, Rama tha se qytetarët mund ta lëvizin kanalin televiziv nëse nuk u pëlqen ai apo Erion Veliaj. “As unë, as lali nuk kemi dalë të kërkojmë nuse”, tha Rama duke cituar edhe një shprehje popullore që në momentin e zgjedhjeve qytetarët të mos shohin gunën, por punën.

“Si mundet të jetosh në Tiranë sot dhe të mendosh për një moment të vetëm se mund të votosh ata që bënë Tiranën copash. Për cilën arsye në botë se s’të pëlqen Edi Rama, punë e madhe shumë s’të pëlqen Lali, ça problemi ka, Lali është gjëja më e kollajshme e merr telekomandën i bie me sustë, zhduket Lali nga televizori se sheh fare. As unë, as lali nuk kemi dalë të kërkojmë nuse, nuk kemi dalë as të kërkojmë krushqi, nuk kemi dalë as të bëjmë ndonjë kompeticion mode. S’të pëlqejnë çitjanet e Edi Ramës, ça problemi ka, mos i vish. Por kur vjen puna për të zgjedhur, do merresh me gunën apo me punën”, tha Rama.

Ironi pati edhe për kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai u shpreh se gjatë drejtimit të tij, Tirana u kthye në nevojtoren më të madhe të Ballkanit. Po ashtu ai ironizoi premtimin e Bashës për  tramvaj në kryeqytet.

“Është shumë e thjeshtë, si mund të jetosh në Tiranë në këtë vend që është sot ky që është sepse politika ka rënë në duart e duhura në kohën më kritike dhe të mendosh të rikthesh ata që e bënë Tiranën nevojtoren më të madhe të Ballkanit. Nevojtore në kuptimin e plotë të fjalës, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Kam nevojë për një shtëpi e ndërtoj ku të dua, kam nevojë për një lokal e bëj ku të dua, kam nevojë të shes patate dhe të brendshme i shes ku të dua, nuk pyes fare se ka tjerë rreth e rrotull. Kam nevojë të tregojë se sa të bukur e kam makinën dhe s’pyes për rregullat e qarkullimit, e bëj kur të dua. Nevojtore nga të katër anët, kush e bëri? E bënë njerëzit, jo jo politika e bëri, politika e rënë në duar të gabuara dhe ato duar prapë janë zgjatur për të marrë vota, ato duar prapë janë zgjatur për të marrë bekimin. E si mund tu jepet bekimi atyre duarve? Si? Për cilën arsye në botë, aq më tepër që e kishte Tiranën, e kishte 4 vjet. Çfarë bëri? U kthye në anën tjetër sa herë i vinte zëri dhe i thoshte hajde se ka punë Tirana. Me tramvaj erdhët sot?”, tha Rama./tvklan.al