Partia Socialiste nuk synon të marrë vetëm numrin e nevojshëm për të formuar qeveri në zgjedhjet e 11 Majit, por një fitore të thellë për të garantuar integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, duke theksuar se tashmë nuk është koha që vendi ynë të bëjë hapa pas në këtë proces.
“Nuk mund të rrimë jashtë, nuk mund të jemi delja që e ha ujku”, tha Edi Rama.
Thotë se 11 maj qytetarët votojnë për anëtarësimin në BE dhe jo si mbështetës së forcave politike.
““Në 2027-tën duhet të mbyllen negociatat, me 11 Maj të gjithë duhet të fokusohen tek negociatat, jo tek partitë. Në 11 Maj vota është për të mos pasur asnjë ditë të humbur me negociatat“, tha kreu i qeverisë.
Rama thotë se ka komunikime të vazhdueshme me liderët e BE.
“Nuk ka pasur asnjë udhëheqës Shqipëria që udhëheqësit e tjerë të Europës ti ketë në celularin e vetë”, tha kryesocialisti.
Komenteve të qytetarëve se Shqipëria është e pambrojtur ushtarakisht, kryeministri theksoi se në vendin tonë gjatë mandatit të katërt do të ndërtohet një industri prodhuese ushtarake në vendin tonë.
“Po punojmë dhe po ndërtojmë partneritete për të hedhur bazat e një industrie të re ushtarake sepse kjo është koha e sotme dhe brenda mandatit të katërt ne do të kemi bazë prodhuese në Shqipëri”, tha Rama.
Një përgjigje pati dhe për akuzave e PD për mbylljen e Tik-Tok.
“Kjo nuk është censurë, kjo është mbrojtje. Kjo nuk është çmenduri, kjo është gjëja më e shëndetshme që mund të bëhet”, tha kryeministri Rama.
Ironizoi PD dhe koalicionin opozitat Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
“Aleanca për kënetën madhështore dhe jam shumë i prekur që Kujtim Gjuzi që posedon të vetmen gjë madhështore që kanë ata në aleancë, mustaqet e tij, është lënë mënjanë”, dha lideri i Partisë Socialiste.
Nuk la pa ironizuar edhe Lulzim Bashën, me të cilin prej disa ditësh i dedikojnë video njëri-tjetrit në rrjetet sociale.
“Luli është zgjuar, është aktiv, bën xhiro me makinë, më prezantoi dhe me Unikatilin, kështu që jemi në rregull me Lulin. Çfarë problemi keni ju me Lulin”, tha Rama.
PS thotë se gara në zgjedhjet e Majit është me vetveten për të realizuar sfidën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2027.
Klan News