Kryeministri Edi Rama, krah homologut të tij hungarez Viktor Orban bëri sërish thirrje për lirimin e menjëhershëm të 3 policëve kosovarë të ndaluar nga forcat serbe më 14 Qershor. Sa i përket pretendimeve se në cilin territor ndodheshin në momentin e ndalimit, Rama tha se KFOR nuk do të japë konkluzione publike, por dosjen përkatëse do ta dorëzojë në NATO.  

“Së pari është imediate, nevojë, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo kanë hyrë atje, për të cilat KFOR nuk do të japë konkluzion publik,  por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet, 3 efektivët nuk kanë bërë asnjë krim, edhe nëse do të supozonim që kanë shkelur vijën e kufirit, kjo ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi. Ne jemi të fokusuar qysh nga momenti i parë për ta bërë këtë të mundur, po përdorim të gjitha kanalet e mundshëm që kjo të ndodhë sa më parë.

Për Kryeministrin zgjidhja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve është marrëveshja e ofruar nga bashkësia euroatlantike. Sipas Ramës, falë saj Kosova dhe Serbia kanë paqen në tryezë, një mundësi sipas tij historike.

“Zgjidhja e përbashkët është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroatlantike, me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme dhe ajo që është më e rëndësishmja për interesin tonë është që paqja është në tryezë. Dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike është në tryezë, për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri, dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë, edhe nga Serbia. Është kaq i rëndësishëm ky moment në histori sa të gjitha këto të tjerat janë produkt i një devijimi tërësisht të panevojshëm nga fokusi. Të bëhet paqe përfundimtare në tryezë. Është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Besoj që mund ta them me plot gojë që ajo marrëveshje që është në tavolinë dhe kjo mundësi e artë që është në këtë moment nuk është e thënë që të jetë aty përgjithmonë. Situatat, konjukturat, dinamikat mund të ndryshojnë dhe mund të hyjmë në një kohë tjetër në histori ku nuk do kemi zgjidhje”./tvklan.al