Në prag të nisjes së muajit të Ramazanit, kryeministrit Edi Rama zgjodhi të urojë besimtarët myslimanë përmes një videomesazhi në rrjetet sociale.

Sipas kreut të qeverisë, ky muaj i madhërishëm vjen në një moment të vështirë, kur njerëzve u është urdhëruar që të ndalojnë në mënyrë të papërfytyrueshme jetën sociale.

Edhe pse në një kohë të vështirë, kur janë kyçur edhe tempujt e besimtarëve, Rama thotë se ne shqiptarët si rrallëkush jemi vizituar tre herë nga trokitjet e kalendarit të besimit.

“Dy herë Pashkë dhe nga sot një Ramazan për të lehtësuar zemrat e gjithkujt në këtë vend”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama falenderoi klerin shqiptar për vendimin që mori për mbylljen e tempujve.

“Ky është momenti për ta falenderuar klerin shqiptar, besimtarët shqiptarë për vetëdijen e lartë dhe vendimin e dhimbshëm për të mos u shkëputur nga zinxhiri i rezistencës sonë kombëtare me mbajtjen kyçur të tempujve”, tha Rama, sipas të cilit kur këto tempuj të hapen nuk do të kenë mbi shpinë njolla të zeza.

Gjatë fjalimit të tij, Rama solli në vëmendje hadithe dhe citime të profetit Muhamed, ndërsa bëri thirrje për një iftar sa më të thjeshtuar këtë vit duke pasur parasysh situatën.

“Sa më i thjeshtuar solemniteti i iftarit këtë vit aq më e pranuar lutja e akshamit. Sa më të heshtura hapat drejt xhamisë, aq më kuptues zëri i ezanit”, tha Rama.

Agjërimin, kreu i qeverisë ia sugjeroi edhe komentuesve në Facebook që thonë se populli po vdes për bukë, si një mundësi për të pastruar mendimet.

“Në këto kohë të vështirë agjërimi do të lehtësonte gjuhëçartjen e atyre që ankohen deri se populli po vdes për bukë në Facebook. Në realitet shqiptari nuk ka vdekur dhe nuk vdes bukë për 1001 e arsye por arsyeja pse e solla bukën lidhet me mirësinë shpirtërore dhe mendore që sjell agjërimi tek besimtarët myslimanë, me pastrimin trupor dhe lehtësimin e të menduarit”, tha Rama./tvklan.al