Krerët më të lartë të shtetit i bashkohen festës

Kryeministri vazhdon prej disa vitesh të mbajë premtimin për të mos trokitur në dyert e komuniteteve fetare në ditën e festave të tyre. Edhe këtë vit nuk ka hequr dorë nga tradita e vendosur për të uruar nga rrjetet sociale për festën e Pashkëve katolike.

“Mirëmëngjes dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike”, shkruan Rama.

Të njëjtën menyre ka zgjedhur këto Pashkë dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha që ka uruar po nga faqja e tij e Facebook-ut besimtarët katolikë, urim që e ka shoqëruar me foton e tij me Papa Françeskun.

“Paqe, shëndet, mbarësi dhe shpresë uroj të sjellë Ringjallja e Krishtit Mbret, për ju dhe familjen tuaj”, shkruan Berisha.

Ndërsa Presidenti i Republikës zgjodhi të jetë personalisht në katedralen e Rrëshenit, një nga zonat më të njohura të katolicizmit në vend, nga ku dha dhe urimin e tij për Pashkët.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës dhe kundërshtari i tij në garën e 14 Majit Belind Këlliçi zgjodhën të jepnin urimet e tyre krerëve të Kishës Katolike në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.

Ndërsa Këlliçi zgjodhi të mos ndalet përpara mediave për të bërë edhe publikisht urimin për besimtarët katolikë.

Tv Klan