Projekti i qeverisë për të rijetëzuar industrinë ushtarake do të nisë nga Uzina e Bakrit në Rubik, e cila do të kthehet në një uzinë e prodhimit të armëve. Konfirmimi vjen nga kryeministri që zhvilloi një takim me banorë dhe ish-punonjës të saj.

“Jemi duke negociuar me aleatë të mëdhenj të Shqipërisë, me kompani nga më të mëdhatë në fushën e mbrojtjes. Së shpejti, ky program do të nisë konkretisht këtu”, tha Rama

Rama garanton se përveç punësim të mirëpaguar, ajo që do të sjellë uzina e prodhimit të armëve në Rubik janë të ardhura të mëdha për ekonominë lokale dhe ekonominë kombëtare.

“Do të jetë një lehtësim i madh për ne që t’u japim mundësinë vajzave e djemve të zonës, shumë prej të cilëve janë larguar, që të kthehen, e të punojnë këtu në vendin e tyre”, tha Rama.

Ndërsa në takimin e zhvilluar në një fasoneri në Kamëz, foli për mundësinë që do të ofrojë anëtarësimi në BE për paga më të larta. Ajo që qeveria do të bëjë ndërkohë është ndërhyrje e ashpër për të gjithë sipërmarrësit që nuk respektojnë Kodin e Punës sa i takon orëve jashtë orarit dhe ditët e pushimit.

“Kemi bërë një plan masash shumë të rrepta për respektimin e ditëve të pushimit“, u shpreh ai.

Sipërmarrësit në sektorin e turizmit në Lezhë i informon për nismën e paqes fiskale.

“Është mundësia që do t’i japim bizneseve për t’u kthyer mbrapsht, pra për të deklaruar të ardhura, të cilat nuk i kanë deklaruar më parë, në një hark kohor prej 5 vjetësh, të kthehen mbrapsht edhe t’ i deklarojnë pa marrë asnjë lloj penaliteti dhe duke paguar vetëm 5% mbi ato të ardhura. Pra, nëse për të ardhurat e zakonshme, tatimi mbi fitimin është 15%, për ato të ardhura që deklarohen me prapaveprim, për të rregulluar llogaritë e brendshme, tatimi mbi fitimin do të jetë vetëm 5%”.

Kryeministri lajmëron se brenda pak ditësh do të shpallet dhe fituesi që do kryejë punimet në segmentit Milot-Balldren që siguron se do të jetë me të njëjtat standarde si Thumanë-Kashari.

Tv Klan