Manastirliu: Nis vaksinimi i policëve dhe gazetarëve

100 mijë të moshuar kanë marrë tashmë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Shifrën e publikoi Kryeministri Edi Rama, i cili ka siguruar sërish se vaksina kineze është e sigurtë dhe efektive.

Nga Berati, ku së bashku me ministren e Shëndetësisë ndoqi nga afër procesin e vaksinimit, kreu i qeverisë apeloi qytetarët që të mos hezitojnë të injektojnë vaksinën sa më parë.

“Të mos bjerë askush viktimë e hijenave dhe kukuvajkave. Vaksina e ardhur nga Turqia e kompanisë Sinovac, është një vaksinë super e suksesshme, e cila faktikisht Turqinë po e nxjerr përditë e më shpejtë nga tuneli i pandemisë. Eshtë vaksina që kanë preferuar vendet e pasura të Lindjes së Mesme. Fakti që nuk ka hyrë në Bashkimin Europian nuk ka lidhje me eficencën e vaksinës por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër që ne nuk na interesojnë dhe nuk na prekin, pasi ne na intereson të nxjerrim urgjent nga tuneli popullin shqiptar”.

Nga kjo e premte ka nisur vaksinimi edhe i gazetarëve dhe të shtunën do të marrin dozat edhe efektivët e policisë.

“Fillojmë vaksinimin e gazetarëve të terrenit. Nga nesër fillojmë vaksinimin e efektivëve të policisë. Fillojmë me Tiranën, pastaj shtrihemi në gjithë Shqipërinë. Ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar. Pra në grupet e riskut ku futen dhe ata të shërbimeve kritike, siç janë policët dhe nga sot në drekë me gazetarët dhe operatorët e terrenit”.

Sipas ministres Manastirliu, këtë të premte u vaksinuan 17 mijë e 23 persona ndërsa totali që nga fillimi i procesit ka shkuar në 172 mijë e 486 doza të shpërndara.

Tv Klan