Marrëveshje me Pfizer dhe Covax për 2.6 milionë vaksina

Gjatë prezantimit të planit për shëndetësinë, kryeministri Edi Rama, ka folur për vaksinimin, teksa ka theksuar se ka shtete të Ballkanit që ende nuk kanë marrë asnjë vaksinë, siç është Kosova.

“Kur këtu çdo ditë ndiheshim keq për të gjithë njerëzit tanë që nga televizori ndiqnin fillimin e vaksinimeve, Itali, Greqi, e më gjerë, që dëgjonin për vaksinim nga familjarët e tyre jashtë kufijve, vendosëm të marrim rrugën, të kalojmë oqeanin, të trokasim në derën e kompanisë Pfizer dhe t’ju ulemi në gjunjë, duke bërë atë që unë e kam bërë dhe do ta bëj deri në fund sa herë që duhen ndihmuar, mbështetur, ngritur në këmbë pas një rrëzimi njerëzit e këtij vendi. Duke shtrirë dorën dhe duke lypur. Dhe arritëm jo të zgjidhim krejt problemin por ta fillojmë vaksinimin ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, përjashtuar vetëm njërit, Serbisë. Ndërkohë që Kosova, motër sot e gjithë ditën, nuk ka ende asnjë dozë brenda kufijve të vet”, tha Rama.

Më tej, kryeministri ka deklaruar se qeveria shqiptare sot ka siguruar dy kontrata, me Pfizer dhe Covax për 1.6 milionë vaksina në total, teksa ka ritheksuar se aspirata e tij është që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar për shkak të një vaksinimi intensiv në Mars, Prill, Maj, Qershor.

“Sidoqoftë sot vaksinimi i perosnelit shëndetësor po shkon drejt fundit dhe ka nisur edhe për të moshuarit. Sidoqoftë qeveria shqiptare sot ka siguruar dy kontrata, një drejtpërdrejtë me Pfizer dhe tjetrën nëpërmjet mekanizmit të Covax, për 1.6 milionë vaksina në total. Dhe sot jua përsëris që pres shumë shpejt lajme shumë të mira, jo nga qielli, as nga bamërisia e pamundur e BE, por nga këmbëngulja dhe nga anagzhimi i pandërprerë si lypës. Ajo që ka rëndësi të thuhet sot dhe që me guxim do t’jua them edhe pse asgjë nuk është siguruar 100%, është se ambicia ime, aspirata ime, ëndrra ime po të doni, është që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar për shkak të një vaksinimi intensive Mars, Prill, Maj, Qershor, një vaksinim intensiv që do të këpusë si një sëpatë hap pas hapi, hallkë pas hallke, zinxhirin e infektimeve”, deklaroi Rama./tvklan.al