Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer akuzat ndaj opozitës se me grumbullimet gjatë fushatës elektorale, po e shpërndan virusin ditë për ditë.

Vaksinimi masiv që të funksionojë ashtu siç duhet, duhet të shoqërohet gjatë gjithë procesit të tij me distancimin. Distancimi është shumë i rëndësishëm për ta mbështetur vaksinimin dhe për të mbështetur këtë luftë. Të vaksinosh masivisht dhe të mos distancohesh, do të thotë të ngatërrohesh me këmbët e tua. Do të thotë të stimulosh infektimin, do të thotë të pengosh suksesin e vaksinimit, do të thotë të krijosh kushte që virusi të të godasë. Është e paimagjinueshme, që me një kokëfortësi idioteske…po të ishte idioteske thjesht dhe vetëm nga marrëzia, mbase do të ishte dhe më pak e fajshme, por është idioteske nga papërgjegjshmëria, pabesia, skuthllëku, nga etja për pushtet, që të mbledhësh njerëz, njerëzit e tu më besnikë, t’i ngjeshësh me njëri-tjetrin për të krijuar imazhe sikur këtu ka një uragan që po vjen për të marrë në dorë fatet e vendit dhe të infektosh masivisht njerëz, të rrezikosh masivisht njerëz. Tani çfarë borxhi u ka ky popull këtyre njerëzve, që për të krijuar një iluzion optik nëpër televizor, sikur janë shumë, po infektojnë ditë për ditë të tjerët. Po e shpërndajnë virusin kudo ku shkojnë. Nëpër familjet e tyre, nëpër fqinj… Çfarë borxhi i ka Shqipëria të bëhet viktimë e këtij absurdi tragji-komik“, tha Rama.

Gjatë fjalimit të tij kryeministri përmendi si shembull Kosovën dhe Malin e Zi, ku për shkak të tubimeve, numrat e të infektuarve dhe atyre që humbën jetën nga Covid-19, u rritën. 

Shikojeni Kosovën. Kosova kishte një rënie drastike të numrave, aq sa filloi teoria se u imunizua tufa. U desh një fushatë elektorale, u deshën marshimet rrugëve, u deshën grumbullimet e mëdha dhe sot numrat janë rritur dhe numri gjithashtu i humbjeve të jetës është rritur. Dhe është shumë e qartë. Por nuk është vetëm Kosova, shikoni Malin e Zi. Mali i Zi ishte një vend ku predikonin që Covid-19 nuk e kishte prekur fare, bënin spote nëpër televizione, nëpër botë, hajdeni në Malin e Zi kaloni pushimet se s’ka Covid-19. U desh një fushatë elektorale me disa të marrë që u mblodhën bashkë nëpër marshime triumfale politike, ngjeshur me njëri-tjetrin. Ca nga ata që rrinin në krye, larg qoftë të mos ndodhë kurrë këtu, ikën në botën tjetër, të tjerë u plagosën rëndë dhe numrat sot në Malin e Zi janë rritur”, u shpreh Rama./tvklan.al