Kryeministri: Shumë shpejt në Shqipëri sasi të mëdha vaksinash

Pandemia dhe Rindërtimi janë kryefjala e socialistëve për të kërkuar votën e shqiptarëve në 25 prill.

Teksa zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë, kryeministri Edi Rama tha se përshpejtimi i procesi të vaksinimit, është shpresa për të shpëtuar sezonin turistik, ndërsa rindërtimin e konsideron një proces të pandalshëm.

“Shpresoj që t’ia dalim, kjo është ëndrra që më lë mua pa gjumë për momentin. Si të disponojmë sa më shpejt një sasi vrastare vaksinash për armikun e padukshëm”, tha Rama

Kryeministri pranoi se rritja e pagës minimale nuk është e mjaftueshme, ndonëse nuk foli me shifra, premtoi rishikim të saj në mandatin e tretë qeverisës.

“300 mijë lek paga minimale është shumë pak akoma në raport me nevojat e njerëzve. Ndaj duam që në 4-vjeçarin, në mandatin e tretë ta rrisim më tutje. Do ta themi se sa do ta rrisim në momentin e shpalljes së planit tonë të veprimit për 2021-2025“, tha Rama.

Në shënjestër të akuzave nuk la pas kryedemokratin Lulzim Basha që sipas kryeministrit nuk ka bërë asnjë punë në jetë.

“Premtojnë se do bëjnë diçka ndryshe. Por pse do bëjnë diçka ndryshe kur janë po ata, me po ato ide, me po ato metoda. Nuk kanë dhënë asnjë shkak për të menduar që kanë ndryshuar bindje për ca gjëra apo qasje, apo kanë nxjerrë ca mësime”, u shpreh kryeministri.

I pyetur nëse ka pasur një lloj disbalance të investimeve mes veriut dhe jugut, Rama shprehet se qeveria ka investuar si asnjëherë më parë për turizmin në zonat veriore të vendit. Madje ftoi të gjithë emigrantët të investojnë në vendin e tyre nëse kanë një banesë të vjetër në zona tursitike.

Klan News