“Situata rrezikon seriozisht të përkeqësohet”

Qeveria është në pritje që të ketë një ndërgjegjësim qytetar të përgjegjshëm për të respektuar masat e vendosura anti-Covid, por në rast se gjatë kësaj jave do vijojë i njëjti trend rritës infektimesh dhe shkelje masive e këtyre masave ato do të ndryshojnë.

Kryeministri në një konferencë të posaçme për situatën paralajmëron rritje të kontrolleve nëpër biznese kryesisht lokale e bare si dhe rritje të nivelit të gjobave për shkelësit.

“Nëse nuk duan të kthehemi te masat e forta, duhet sot të mos vënë në rrezik jetën e njerëzve. Nëse nuk ka reagim të menjëhershëm do të jetë policia e shtetit që do ta imponojë me forcë zbatimin e masave. Dhe më të gjitha gjobat përkatëse që do t’i rrisim në ditët në vijim.”

Pavarësisht shtimit të rasteve të infektuar dhe të shtruar në 2 javët e fundit, ku janë vënë re dhe infektime në mosha shumë të reja, ministrja e Shëndetësisë garanton se kapacitetet spitalore mund të përballojnë fluksin.

“Niveli i shfrytëzimit të shtratit është 78% në 4 spitalet Covid. Kjo nuk do të thotë që kemi vështirësi në ofrimin e shërbimit, aspak”.

Mosrespektimi i masave është vënë re dhe në takimet e politikanëve, dhe Rama pranon se dhe të tijtë anojnë nga ana e shkelësve.

Si Rama ashtu dhe ministrja e Shëndetësisë pranojnë se në vend janë në qarkullim mutacionet e Covid 19 por janë në pritje të përgjigjeve te specializuara nga laboratorë në Gjermani për disa raste të dyshuara.

“Kemi dyshime të arsyeshme për qarkullimit e varianteve të COVID, kemi raste të riinfektimeve, prekjes së të rinjve në masë, dhe aspekteve të sinjaleve në laboratorin e virologjisë ku vlerësojnë se kemi të bëjmë me këto dyshime. Po çojmë monstra në Berlin për të verifikuar dhe vërtetuar nëse këto dyshime tona do të rezultojnë të vërteta. Rritja ka edhe shkaqe të tjera që lidhen me moszbatimin e masave”

Po ashtu ata pranojnë se në shume raste qytetarët mjekohen në shtëpi me ilaçe që duhet të merren vetëm në kushtet e hospitalizimit  të dhëna në mënyrë abuzive nga mjekët.

Tv Klan