Artistët e rinj që studiojnë në Liceun Artistik kanë nga sot një sallë të vërtetë koncertesh në mjediset e shkollës.

Inaugurimi i mjediseve të reja u bë në prani të Kryeministrit Rama, për të cilin kryebashkiaku tha se është një nxitës për të bërë shpejt punë të mira, por këtë hërë nuk ishte i vetmi.

Kryebashkiaku Veliaj tërhoqi një paralele mes protestave dhe punës për të ndryshuar Tiranën.

“Puna tregon se është arritur një lloj etike sociale. Jam shumë i nderuar që kjo sallë mban emrin e të madhit Tonin Arapit. Sepse e dini çfarë? Kur mbaron e gjithë zhurma, historia s’ka vend për të gjithë, por ka vend për Tonin Arapin, ka vend për atë që është pozitiv”.

E ndërsa kreu i qeverisë preferoi të ndalej në dy mesazhe për ata që do të jenë në kontakt të përditshëm me këtë investim.

“Është bërë një punë e shkëlqyer, sigurisht që u takon atyre që do ta kenë në kujdes që ta mirëmbajnë. Ndërkohë që po hynim këtu, më çoi kujtesa shumë kohë mbrapa kur ky ishte një lice shumë modest nga pikëpamja e kushteve. Liceu që ka nxjerrë gjithë ata artistë të jashtëzakonshëm, ishte shumë modest nga pikëpamja e infrastrukturës, dhe kishte shumë disiplinë. Mua më kujtohet Tedi Papavrami që e hapte liceun, ishte i pari që e hapte dhe fillonte stërvitej”.

Salla e koncerteve nuk është i vetmi investim, kryebashkiaku listoi se vetëm në një rreze prej 1 kilometri nga Liceu, gjendet Shkolla e Baletit, shkolla “Kosova”, këndi i lojërave për fëmijë, stadiumi “Qemal Stafa” dhe Qyteti Studenti.

Tv Klan