Rama: Vendet e OSBE-së të kontribuojnë për Ukrainën

Në cilësinë e kreut të OSBE, Kryeministri Rama nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, u ka kërkuar vendeve anëtarë të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të krijuara nga konflikti në Ukrainë.

“Vazhdojnë incidentet, sidomos gjatë natës, për shkak të mungesës së kapaciteteve për të monitoruar vijën kufitare në mënyrë më konstante. Iu bëj thirrje të gjitha vendeve të mbështesin ata njerëz, që jetojnë në atë ferr. Nuk do të kushtojë male me para, por disa kontribute shtesë nga vendet e OSBE, në mënyrë që të garantohet që askush të mos vazhdojë të luajë e të krijojë këto incidente. Për sa kohë Rusia do të jetojë me frikën e të qenit e rrethuar nga NATO, BE, të jetë e mbytur në këtë rreth, nuk do të ketë një zgjidhje përfundimtare, gjërat nuk do të përmirësohen”.

Kryeministri Rama shigjetoi edhe Presidentin Emmanuel Macron, i cili ishte i pranishëm në konferencë, teksa solli në vëmendje incidentin e ndodhur në Paris, në nisje të ndeshjes Shqipëri-Francë.

“Kur Shqipëria luajti futboll në Paris, i vunë himnin e Andorrës. Të gjithë u çuditën. Pastaj, francezët e kuptuan që kishin bërë gabim dhe i kërkuan ndjesë Armenisë që kishin vënë himnin e gabuar. Kështu që faleminderit, por ka dhe më keq”.

Në kuadër të Konferencës mbi Sigurinë në Mynih të Gjermanisë, kreu i qeverisë u takua edhe me Presidentin e Moldavisë si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Tomas Greminger.

Këto takime, sikundër tha edhe Kryeministri, i shërbyën për vendosjen e kontakteve për konferencën e donatorëve që pritet të mbahet ditën e hënë në Bruksel.

Tv Klan