Përpara të vetëve Edi Rama foli për një mision, të cilin tha se socialistët ia detyrojnë historisë dhe kombit.
“Duhet të ngremë flamurin kombëtar në oborrin e Brukselit dhe kjo do të ndodhë në 2030.”
Nga mbledhja e grupit parlamentar kreu i qeverisë u shpreh entuziast për rezultatet e deritanishme, duke theksuar se Partia Socialiste është e vetmja forcë historike që mund ta çojë përpara këtë proces.
“Kryeministra të BE më kanë thënë ‘Uau’, Shqipëria vërtet po na surprizon, kjo është një arsye shumë domethënëse të inkurajomë për mundësitë që kemi. procesi ka rezultuar befasues për Komisionin Evropian. “
Në këtë proces ku kushdo është lojtar, Rama tha se misioni i mbikëqyrjes së performancës i takon Kuvendit, ndaj dhe këtij të fundit kreu i qeverisë i beson kalin e betejës së korrupsionit.
Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit në nivelet e administratës mbetet një ndër sfidat që Shqipëria duhet të përmbushë, ndaj dhe mesazhin e tij Rama e adresoi ndaj organit të akuzës.
“Falenderoj prokurorët e SPAK dhe të tjerë në prokuroritë e zakonshme, të bëjmë sa më shumë për ta zvogëluar atë pjesën e zezë që është një turp kombëtar, por ama pjesa e bardhë e administratës nuk është opinion.”
Për kryeministrin nuk ka kohë për të humbur dhe se puna për komisionin Antikorrupsion, që e cilëson udhërrëfyes për integrimin në BE do vijojë edhe pa opozitën.
“Me ose pa ata ne këtë punë do ta bëjmë. Nuk mund të presim që të merremi vesh me ata që të vijë dhe të bëjnë detyrën e tyre”.
Bojkotin e demokratëve në komisionin si dhe kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme, si dhe krijimin e një qeverie teknike, Rama nuk e kaloi pa ironizuar.
“I dëgjojmë që thonë do të vinin në pushtet vitin tjetër, por të vish në pushtet duhet që të jesh më i interesuari për të qenë në këtë tryezë. ata që thonë do marrim pushtetin vitin tjetër, nuk e besojnë as vetë këtë”.
Opozitës, e cila refuzon të bëhet pjesë e punës së komisionit Rama i kujtoi se çdo rezultat i dalë nga tryeza e komisionit Antikorrupsion do certifikohet nga BE dhe SHBA.
Tv Klan