Kryeministri Edi Rama iu përgjigj këtë të enjte pyetjeve nga rrjetet sociale të qytetarëve për disa çështje të ndryshme.

Në fund ai nuk la pas ironitë me kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha. Rama e krahasoi programin ekonomik të selisë blu me uljen e prodhimit të qumështit për të rritur prodhimin e djathit.

Kjo për kryetarin e qeverisë ndodh vetëm në “në gjumin e Lulit”.

“Në përfundim dua të them që ka shumë arsye për të qenë të pakënaqur. Unë kam shumë arsye për të qenë i pakënaqur sepse mundësitë janë për më shumë, dhe fuqitë janë për shumë më shumë. Nuk ka asnjë arsye për tu ndalur, për të bërë pushim. Ka shumë arsye për të qenë i pakënaqur, por për të vijuar punën. Na duhet të shtrëngojmë dhëmbët.Formula magjike nuk ka. Kur flas për formula magjike dua t’ju ilustroj një që është interesante, që është plot ndër formulat magjike nga miku im i fjetur, Lulzim Basha. Do të ulim sigurimet shoqërore dhe do rrisim pensionet. Pensionet financohen sigurimet shoqërore. Sot Shqipëria ka një deficit të trashëguar sepse paguan më shumë pensione se sa mbledh. A mund të ndodhë që të ulësh prodhimin e qumështit dhe të rrisësh prodhimin e djathit? Po që të jetë djathë, jo të jetë kubik prej niseshteje. Nuk ndodh! Po, ndodh në gjumin e Lulit dhe të gjithë atyre që duan t’i bien shkurt siç i ka rënë opozita sa herë ka pasur çelësat në dorë, prandaj Shqipërisë i ka dalë më gjatë. Nëse do të ishin bërë këto 27 vite më parë sot të flisnim për gjëra të tjera, por i kanë rënë shkurt herë me Suden here me Saliun i kanë rënë shkurt, dhe ka më shkurt se sa me Lulin dhe prandaj po iu del gjatë. Nëse kanë zgjedhë rrugën e tyre të gjatë për ti rënë shkurt, nuk mund t’ia bëjnë rrugën e gjatë Shqipërisë“, tha Rama./tvklan.al