Reagimin e opozitës në parlament, Kryeministri Edi Rama e ka komentuar me një postim në rrjetet sociale, ku thotë se këto veprime janë rezultat i një degradimi të plotë të opozitës në këto dy vjet.

“Kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë. I kanë shterruar idetë dhe arsyeja. I kanë shterruar energjitë dhe durimi. I ka shterruar fuqia për të imagjinuar, pa të cilën jeta është një lëngatë e pafundme. Që një parti të katandiset në pikën që të përdorë vezët, duhet të ketë humbur kuptimin e vetvetes dhe çdo ndjenjë përgjegjësie për çka të tjerët mund të mendojnë për të”

Kreu qeverisë thotë se Partia Demokratike ka dy vjet e kusur që jep e merr me hijet dhe me objektet pa ide për të ardhmen e vendit.

Në çdo tre aktivitete, dy janë përkujtimore të sajuara për t’u kacafytur me hijen e Enver Hoxhës. Në çdo tre konferenca shtypi, dy janë kacafytje me libër shtëpie me hijen e pushtetit. Në çdo tre protesta, dy janë kacafytje fizike me objekte. Dhe natyrisht që e gjithë kjo perpetum mobile, në një boshllëk që zgjerohet, ka një efekt shterrues për sytë, veshët, trurin, trupin e një partie politike të krijuar si alternativë qeverisëse, e të degraduar në një organizatë kakarisëse.

Kryeministri shkruan se ndryshe nga kolegët e tij nuk mendon se protesta me vezë e opozitës ka për qëllim të pengojë reformën në Drejtësi.

“Edhe vetë histeria e 24 orëve të fundit, për një deputet të përjashtuar me kohë nga radhët e koalicionit qeverisës, i cili për më tepër u vetëpezullua nga aktiviteti i Kuvendit, është inercia e kacafytjes me hijet; në kushtet e shterrimit total të fuqisë për të imagjinuar të nesërmen. Çka e bën opozitarizmin e Partisë Demokratike një zvarritje në dëshpërim. Ku vezët janë thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit”

Sipas Kryeministrit, Partia Demokratike ka ardhur në një pikë shterrimi për shkak se nuk mundi asnjëherë dot, të ringrihej realisht nga fusha e disfatës së 23 Qershorit 2013.

Tv Klan