Qytetin verior e ka futur në prioritet e qeverisë së tij për investimet që ka parashikuar të realizojë brenda këtij mandati dhe një ndër to është edhe ngritja e një trungu modern turistik për Shkodrën.

Në krah të kryebashkiakut Benet Beci dhe drejtueses politike për këtë qark, Ministres Elisa Spiropali, Rama inspektoi nga afër tregun ‘Rus’, për të cilin dha edhe idetë e tij.

Rikonstruksioni i tregut të “Rusit” pritet të nisë së shpejti dhe pjesë e tij do jetë edhe markata e peshkut.

Konvikti i shkollave profesionale është një tjetër projekt që pritet të nisë së shpejti e që do tu vijë në ndihmë 400 nxënësve që banojnë aktualisht në kushte jashtë çdo standardi.

Gjatë qëndrimit në Shkodër nuk munguan edhe batutat me qytetarët, të cilët kërkuan kthimin e syve edhe nga infrastruktura rrugore.

Pati edhe nga ata shkodranë që pavarësisht teserës së partisë, vlerësuan projektet e nisura në shërbim të komunitetit.

Këto dy investime në qytetin verior vijnë në vazhdën e disa projekteve të parashikuara nga qeveria, mes të cilave; projekti i hyrjes së Shkodrës, ai i kalasë së Rozafës, ndërtimi i një parku multifunksional buzë Bunës, rruga Shirokë-Zogaj, restaurimi i bashkisë së qytetit dhe një sërë projektesh infrastrukturore.

Tv Klan