Kryeministri Edi Rama shkoi këtë të hënë në familjen e Arjan Salës, rojes së sigurisë i cili humbi jetën nga zjarri i rënë të mërkurën e shkuar, në magazinën e një qendre tregtare në kryeqytet.

Kryeministri pritet që t’i dorëzojë familjes së 32-vjeçarit titullin “Dëshmor i Atdheut”, i cili u firmos më herët nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Rama shoqërohej nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ulsi Manja.

Arjan Sala u gjet pas 3 ditësh nga rënia e zjarrit, në dyshohet se u shkaktua nga një masë në kabullin e neonëve. Menjëherë sapo ra zjarri, ai i fut së bashku me rojet e tjera të sigurisë dhe nxorën jashtë të gjithë punëtorët. Pas kësaj, 32-vjeçari mori një bombol dhe tentoi të fikte zjarrin në vatrën e tij. Por flakët u përhapën me shpejtësi dhe ai nuk mundi të dilte.

Në ekspertizën paraprake thuhet se 32-vjeçari ka tentuar të dalë nga një derë e emergjencës, por besohet se është rrëzuar për shkak të errësirës dhe tymit të dendur që kishte pushtuar magazinën. Më pas flakët janë riaktivizuar dhe temperatura në brendësi arriti mbi 900 gradë.

Arjan Sala la pas bashkëshorten dhe një fëmijë të vogël./tvklan.al