RAma

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Serbinë në muajin shkurt, si pjesë e një turi vizitash në rajon. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i jashtëm serb Ivan Mrkiç, që citohet nga mediat vendase të ketë thënë se data e saktë pritët të përcaktohet së shpejti nga të dyja palët. Ministri Mrkiç e konsideron inisiativën e Ramës si një etapë të re në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Axhenda e kryeministrit shqiptar fokusohet tek bashkëpunimi bilateral në fusha me interes të përbashkët si bujqësia, turizmi, transporti e arsimi.

Një pikë e rëndësishme diskutimi do të jenë edhe pakicat kombëtare në të dyja vendet. Sipas ministrit të jashtëm serb, shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës i gëzojnë të gjitha të drejtat, ndërsa pakica serbe që jeton në Shqipëri ende nuk është pranuar si duhet.

I pyetuar nga mediat serbe, lidhur me takimin e dy qeverive shqiptare në Prizren, Mrkiç tha se Beogradi nuk mund t’u mësojë zyrtarëve të vendeve të rajonit se çfarë duhet të bëjnë. Ai theksoi se tashmë kufijtë janë të përcaktuara.

Mediat serbe e konsiderojnë si historike vizitën e parashikuar të Ramës, pasi siç shkruan agjencia Tanjug, asnjë lider i këtij niveli nuk e ka vizituar Beogradin pas ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha në vitin 1946.