“Vetëm çështje kohe rindërtimi banesave”

Një shtëpi e re ngrihet fare pranë çadrës ku familja Dervishi nga Dajti i Tiranës jetoi përkohësisht prej tërmetit të 21 Shtatorit. Çelësat e banesës së re për familjen 6 anëtarëshe ua dorëzoi Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Kreu i qeverisë tha se rindërtimi i të gjithë banesave të dëmtuara nga tërmeti është vetëm çështje kohe.

“Duhet të mendojmë ku do t’i bëjmë sepse jo të gjitha do të bëhen aty ku janë. Duhen bërë studimet gjeologjike, a mban ndërtimi apo jo, mandej planet, projektet, procedurat për të përzgjedhur kompanitë. Ikën dy muaj thonë këta… Rri në Facebook, e thuaj 2 muaj. Po nuk kemi çfarë t’i bëjmë, kështu është ndarë kjo punë, ca me punë e ca me llafe”, tha Rama.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u ndal tek solidariteti që kanë ofruar qytetarët dhe bizneset për familjet në nevojë.

“Ai që punon vetë e di që puna merr kohë. Ai që ankohet, është ai që s’e ka idenë si vihen bashkë dy tulla”, tha Veliaj. Këshilli i Ministrave miratoi të premte 18 zona për zhvillim në 7 bashki të vendit, ku do të ndërtohen banesat për të prekurit nga tërmeti. /tvklan.al

Tv Klan