“Gjysma e burrave janë normalë në këtë vend, gjysma janë çyrykë”.

Jo vetëm nuk është bërë pishman për këtë deklaratë që bëri në Peshkopi, por e përsëriti edhe me gratë e Qarkut të Lezhës mendimin e tij për burrat që votojnë opozitën aktuale.

“Sepse sikur të mos ishin gjysmat e burrave çyrykë në këtë vend, e dini ku do ishte Shqipëria sot apo jo? Se burrat e kanë pasur në dorë për një kohë shumë të gjatë”, tha Rama.

Rama bën diagnozën e një burri siç e quan ai çyryk.

“Ka dhe një tjetër tipar të çyrykut, burrit çyryk, burri çyryk nuk e ha humorin fare, nuk e pranon fare humorin, humori u duket gjëja më e tmerrshme. Domethënë këta janë në gjendje të të marrin me libër shtëpie, të të thonë gjërat më të zymta, më të zeza, më të ulëta dhe ju duket një gjë normale por po tua kthesh me të njëjtën mënyrë prapë nuk është se u bën shumë përshtypje por ama po të bësh humor me ta çmenden”, tha Rama.

Rreshton me shifra të gjithë mbështetjen që iu ka dhënë grave dhe vajzave ai dhe Partia Socialiste për të rritur përfaqësimin e tyre në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe flet për rolin që kanë në shoqëri e familje.

“Sot gratë dhe vajzat janë pjesë e qendrës së vendimmarrjes”, tha Rama.

Rama në Kombinat ku u takua me banorët pasdite kërkon të mos vihet në rrezik me votën e 11 Majit procesi i negociatave.

“Po u mbyll dera mund ta gjejmë veten mund ta gjeni veten ju që jeni më të rinj në 2037-ën jashtë BE, akoma. S’ka asnjë çudi. të shohësh pak fare historinë e bufit të kënetës dhe e ke të sigurte që sa herë vjen bufi nuk vjen për mirë, vjen për keq. Kur kukumjaçkat klithin, nuk klithin për të sjell lajme të mira”, tha Rama.

Për qytetarët e Tiranës ku ai vetë këto zgjedhje kandidon për deputet, votat e 11 Majit është dhe më domethënëse për të ardhmen e tyre.

Tv Klan